VOA/Tregu i punës dhe pagat e ulëta në Shqipëri, thuajse çdo vit...

VOA/Tregu i punës dhe pagat e ulëta në Shqipëri, thuajse çdo vit largohen drejt emigracionit rreth 42 mijë persona

86
SHPËRNDAJE

Në qytetet e Shqipërisë tashmë është bërë e zakonshme që në biznese, dyqane apo mediat lokale të shikohen njoftime me kërkesën për punëtorë apo profesionistë të sektorëve të ndryshëm.

Periudha e gjatë e pandemisë, e shoqëruar me krizën globale të tregjeve, shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, së bashku me ritmet në rritje të emigrimit, kryesisht të rinjve, kanë shfaqur ndikim të thellë edhe në sektorin e punësimit.

Sipas drejtoreshës së zyrës rajonale të punës në Shkodër, Rozafa Zmijanit, niveli i ulët e pagave vazhdon të mos nxisë punësimin.

“Kërkesat e vetë qytetarëve, që vijnë në zyrat e punës, kanë ndryshuar këto dy vitet e fundit. Kanë kërkesa për paga më të larta dhe, faktikisht, shumica e pozicioneve të punës, që ofrohen nga zyrat e punës, fatkeqësisht vijojnë të kenë paga minimale. Shumë pak vende kemi atraktive në pjesën e pagave dhe që tejkalojnë shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra”, thotë ajo.

Megjithëse Shkodra ka të regjistruar më shumë se 2000 punëkërkues të papunë, niveli i ulët i pagave frenon punësimin e tyre.

Në Shqipëri sektori i fasonerisë, me rreth 800 ndërmarrje që punojnë me material porositësi për tregun e huaj, është kontribuesi i tretë në ekonominë e vendit. Por edhe ky sektor po e ndjen mungesën e fuqisë punëtore.

“Pjesa, të cilën ne kemi më problem, është pjesa e mungesës së profesioneve. Por kjo nuk është një mungesë e re. Kështu, fasoneritë kanë mungesë të punëtorëve dhe ky është një trend, pasi vetë qytetarët e papunë nuk duan të punojnë në atë lloj sektori me paga relativisht të ulëta për nivelin e punës së rëndë që kanë. Ose janë punë të tjera të vështira si saldator ose punëtorë për shtrim të rrugëve, etj”, thotë ajo.

Për shkak të pagave të ulëta, thotë drejtoresha Zmijani, një pjesë e profesionistëve dhe punëtorëve po synojnë tregjet e punës në vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht problematikave dhe kostove me të cilat ata përballen në emigracion.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, thuajse çdo vit nga Shqipëria largohen drejt emigracionit rreth 42 mijë persona, pjesa më e madhe të rinj që përbëjnë edhe forcën më aktive në tregun e punës.

Për sindikalistin Albert Tukaj jetesa po bëhet gjithnjë dhe më e papërballueshme për familjet shqiptare për shkak të rritjes me shpejtësi të çmimeve dhe mungesës së kontrollit nga institucionet shtetërore për zbatimin e pagës minimale.

“Paga minimale me vendim të Këshillit të Ministrave është bërë 34 mijë lekë të reja dhe as kjo pagë nuk zbatohet. Fajin e kanë institucionet e shtetit shqiptar pasi nuk kontrollojnë këto ndërmarrje për t’i detyru ligjërisht që t’u paguajnë punëtorëve këtë pagë. Atëherë punëtorët do të shkojnë. Janë pagat shumë qesharake. Ka shkuar 1 mijë lekë një bukë. Si paguhet punëtori me 5 mijë lekë të vjetra në ditë? Aq më tepër se ka fasoneri që nuk u paguajnë punëtorëve as orët shtesë, as ditët e festave, as të shtunat e të dielat. Se ligji e ka”, thotë ai.

Zoti Tukaj thotë se, që nga fillimi i pandemisë, vetëm në Shkodër janë mbyllur rreth 2400 biznese të vogla për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe konkurencës së pandershme në treg.

Në përpjekje për të mbështetur tregun e punës, zyrat e punës po zbatojnë programe për nxitjen e vetëpunësimit, praktikave profesionale si dhe programin më të fundit, atë të kodimit. Por, përfituesit nga këto programe janë ende të pakët krahasuar me kërkesat e tregut dhe pa ndikim në frenimin e largimit jashtë vendit të forcës aktive të punës./VOA

S'KA KOMENTE