Sot ditë zie kombëtare/ Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani përcillet në banesën...

Sot ditë zie kombëtare/ Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani përcillet në banesën e fundit

36
SHPËRNDAJE

Qeveria e Shqipërisë vendosi që 2 qershori të jetë ditë zie kombëtare, në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta më 28 maj.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë. Ndërsa, ceremonia e homazheve do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.

Dje Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes).

“Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare.
Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”, ishte motivacioni i dekorimit. 

Bujar Nishani, i cili shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017, vdiq në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore.

Nishani ka mbajtur edhe poste tjera të rëndësishme në Qeverinë e Shqipërisë, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.

Pak ditë më parë ai u dërgua në Gjermani për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.

I lindur në qytetin port të Durrësit, Nishani u diplomua në Akademinë Ushtarake dhe më pas u diplomua për Drejtësi. Fillimisht, ligjëroi në Akademinë Ushtarake dhe më pas shërbeu në poste të larta në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë.

Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Ndërkaq gjatë vizitës së fundit në Kosovë më 2017, teksa përmbyllte mandatin e presidentit, Bujar Nishanit iu nda mirënjohja “Urdhri i Lirisë”, për kontributin për “popullin shqiptar, angazhimin për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme”.

S'KA KOMENTE