Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëron shtrenjtimin e kafesë deri në 1...

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëron shtrenjtimin e kafesë deri në 1 euro

1361
SHPËRNDAJE

Pas shtrenjtimit të produkteve ushqimore të shportës pritet të rritet edhe çmimi i kafesë në bare dhe ushqimit në restorante.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, tha për “Monitor” se pavarësisht rritjes së çmimeve të produkteve bazë. ndryshimi nuk është reflektuar te produktet finale, pasi kostoja është amortizuar nga subjektet e shërbimit.

Jahaj thotë se situata do të jetë e përkohshme dhe çmimet pritet të ndryshojnë edhe në këto struktura.

“Aktualisht, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur 20 deri 30% apo deri në 40% siç është produkti i vajit të lulediellit që përdoret në sasi të lartë në fast food.

Rritja e produkteve bazë nuk është reflektuar të çmimet finale të bareve dhe restoranteve. Produktet bazike siç është uji dhe kafeja, pavarësisht se plastika është rritur, në bare nuk kanë ndryshuar. Shtrenjtimi i produkteve është amortizuar nga fitimet e bizneseve.

Sot më e leverdishme është të konsumosh vaktin e drekës (për 2 persona) në restorant sesa në shtëpi. Pandryshmëria e çmimeve do të jetë e përkohshme, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes së çmimeve. Edhe kostoja e biznesve informale është amortizuar nga bizneset e licencuara. Pra kjo periudhë nuk do të zgjasë shumë. Çmimi i kafesë do të arrijë 1 euro, ndërsa baret që tregtojnë kafe me çmim 50 lekë, kryesisht të lagjeve, nuk do të arrijnë të mbijetojnë, do të mbyllen”, nënvizon Jahaj.

Sipas tij, në këtë periudhë kur çmimet për produktet janë rritur, konsumi në restorante ka pasur ulje. “Konsumatori po tregohet i kujdeshëm në shpenzime për shkak të rritjes të çmimeve, që duket se do të vazhdojë. Për pasojë klientët kanë tkurrur shpenzimet”.

Konsumi në këto struktura shërbimi pati rënie edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Përfaqëuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafenë dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm.

Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.

S'KA KOMENTE