Sa para cash duhet të mbajnë bizneset në arkë? – Vlera limit...

Sa para cash duhet të mbajnë bizneset në arkë? – Vlera limit që i “shpëton” nga gjoba

3917
SHPËRNDAJE

Nga 1 Janari 2023 ka hyrë në fuqi ligji që vendos limit mbi shumën e parave cash që mund të mbajë një biznes në arkë, e cila është shuma fillestare e parave që tatimpaguesi mund të ketë në arkën e tij në fillim të ditës së punës ose të ndërrimit të çdo operatori.

Ndërkohë, burime nga bizneset, bëjnë me dije se kanë nisur kontrollet tatimore për të verifikuar nëse ky limit zbatohet apo jo. Por sa duhet të jetë shuma cash që duhet të mbajnë bizneset në varësi të qarkullimit në mënyrë që t’u shpëtojnë gjobave të tatimeve? Sipas ligjit “për procedurat tatimore”, kriteri për përcaktimin e shumës maksimale të arkës së tatimpaguesit, që lëshon faturë, është niveli i qarkullimit vjetor.

Konkretisht për tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të mëparshëm tatimor, deri në 2 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 150 mijë lekë;  për bizneset me qarkullim vjetor, gjatë vitit të mëparshëm tatimor, mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 500 mijë lekë; për tatimpaguesit me qarkullim vjetor, mbi 10 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 500 mijë lekë ose 5% të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë. Shuma maksimale cash e arkës, ligjit në fuqi, nuk zbatohet për bankat dhe institucionet e tjera financiare jobankare.

Ndërsa tatimpaguesi që lëshon faturë, i cili kryen transaksione këmbimi monedhe, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën 5 milionë lekë ose 5% të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.

Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune dhe para lëshimit të faturës së parë, që përmes sistemit të fiskalizimit të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave cash në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit.  Gjobat e parashikuara në rast se tatimpaguesit kapen në shkelje, variojnë nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë lekë.

/ SCAN

S'KA KOMENTE