Rritet 9% çmimi i orizit, 12% i vajit të lulediellit nga java...

Rritet 9% çmimi i orizit, 12% i vajit të lulediellit nga java e kaluar; Po krijohen rezerva nga paniku

412
SHPËRNDAJE

Rriten sërish çmimet e orizit dhe vajit të lulediellit. Nga 170-180 lekë për kg që u tregtua javën e kaluar orizi Gold Blu i kompanisë Teuta këtë javë çmimi arrin 185 deri 195 lekë (rritja 9%).

Rritje ka shënuar dhe orizi i markës “Scotti” nga 190 lekë javën e kaluar arrin në 200 lekë/kg.

Ndërsa nuk ndalet në tregun e pakicës rritja e çmimit të vajit. “Floriol” nga 330 lekë për litër që ishte javën e kaluar sot çmimi është 370 lekë, rritje 12%. Importuesit e produkteve të orizit dhe vajit pohojnë se nuk kanë kryer furnizime të reja për muajin, por presin që furnizimet e reja të jenë më të shtrenjta.

“Kompania nuk ka ndryshuar çmimin e shitjes të orizit. Çmimet për orizin “Gold Blu” vazhdojnë të jenë 170 deri 180 lekë për kg. Jemi duke shqyrtuar ofertat për furnizimet e reja. Nuk pritet që çmimet të jenë të njëjta me furnizimet e mëparshme. Arsyeja kryesore është rënia e ofertës në tregjet e huaja. Kjo situatë nisi që në maj të 2021, duke shënuar ofertën më të ulët në 10 vjeçarin e fundit. Oferta ka shënuar rënie në Europë. Furnizimet nga tregjet aziatike do të jenë më shtrenjtë, pasi tarifat e transportit janë shumë të larta, nga shtrenjtimi i naftës”, pohon znj. Junis Uruçi nga kompania “Teuta”.

Sakaq më herët edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron” që tregton vajin “Floriol” pohoi se nuk ka nisur furnizimet e reja. Për muajin prill furnizimet e kompanisë do të jenë me çmim 2,8 euro për litër nga 1,8 euro që ishte për muajin mars. Tregtarë të tjerë të vajit nënvizuan se 10 ditë më parë çmimi i furnizimeve në tregjet e huaja ishte 340 lekë për litër, ndërsa për këtë javë çmimi i shumicës ishte 430 lekë për litër. Pritet që në tregun e pakicës të reflektohet një çmim deri 500 lekë për litër.

Blerjet nga paniku, konsumatorët rrisin rezervat 

Për shkak të panikut të rritjes të mëtejshme të çmimeve dhe mungesës të furnizimeve, konsumatorët kanë rritur ndjeshëm rezervat ushqimore familjare. “Kërkesa për oriz në këtë periudhë ka qenë jashtëzakonisht e lartë. Kjo është ndikuar nga paniku i konsumatorit për çmimet dhe mungesës të furnizimeve. Nuk ka vend për panik. Furnizimet me oriz nuk do të mungojnë”, thekson znj. Uruçi nga kompania “Teuta”.

Edhe për administratorin e kompanisë PDF shpk që ka ekzkluzivitetin e prodhimit dhe tregtimit the vajit “Olim” z. Aredi Sado konsumatori i ndikuar edhe paniku i rritjes të çmimit krijoi depozita vjetore vaji në shtëpi, ndërkohë që konsumi mesatar i vajit të lulediellit është 1 litër për frymë në muaj. “Kjo shkaktoi deformim të zinxhirit tregtar. Edhe nëse do të këtë furnizime më vaj luledielli nga mbingopja e tregut shitjet do të bien 50%”, pohon ai.MONITOR

S'KA KOMENTE