Rënia e monedhës europiane ndaj Lekut nuk ndalet, barazohet me dollarin

Rënia e monedhës europiane ndaj Lekut nuk ndalet, barazohet me dollarin

263
SHPËRNDAJE

Euro e ka nisur javën me një rekord të ri në rënie në kursin e këmbimit me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 117.57 Lekë, në rënie me 0.5 Lekë të tjera nga niveli që kishte mbyllur javën e kaluar. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se rënia e Euros është e lidhur tashmë me prurjet e larta të lidhura me sezonin veror.

Për pesë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me 55% dhe tejkaluan madje edhe shifrat e regjistruara në periudhën e para pandemisë, në vitin 2019.

Pritshmëritë e subjekteve të lidhura me turizmin edhe për sezonin veror janë shumë të larta dhe me shumë të ngjarë turizmi hyrës këtë vit pritet të regjistrojë nivelet më të larta historike. Veç rritjes së numrit të turistëve, një ndikim në shtimin e prurjeve valutore hyrëse po jep edhe rritja e ndjeshme e çmimeve që po aplikojnë këtë vit bizneset e sektorit të turizmit.

Edhe ecuria e eksporteve këtë vit paraqitet mjaft pozitive, me një rritje vjetore prej 46% për pesëmujorin janar-maj. Eksportet po nxiten nga rritja e çmimeve, sidomos në segmentin e mineraleve, metaleve dhe materialeve të ndërtimit.

Deficiti tregtar është rritur me 9% krahasuar me një vit më parë, por vlerësohet se përmirësimi i bilancit në tregtinë e shërbimeve e ka balancuar këtë efekt. Deri në fund të tremujorit të parë të vitit, statistikat tregojnë se deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 22% me bazë vjetore.

Tendencë e vazhdueshme e konstatuar nga bankat janë gjithashtu prurjet e larta të Paundit Britanik nga pikat e këmbimit valutor. Edhe prurjet në Paund në mënyrë të tërthortë ndikojnë në zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros, sepse ajo është valuta e huaj referuese për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar, ndaj edhe bankat i mbajnë pozicionet e tyre valutore kryesisht në këtë monedhë.

Dëshmi e ofertës së lartë është edhe rezultati i ankandit të radhës për blerjen e valutës, që u organizua sot nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 13 milionë Euro, ndërsa shuma e ofruar në ankand arriti në 16.2 milionë Euro.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej tetë milionë Eurosh.

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 117.4 dhe 117.64 Lekëve. Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 117.56 Lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 5 milionë Eurosh, me kursin mesatar prej 117.56 Lekësh.

Megjithëse Banka e Shqipërisë bleu 13 milionë Euro në një ditë të vetme, shumë kjo e konsiderueshme për tregun valutor shqiptar, as ankandi i sotëm nuk ndikoi në frenimin e rënies së Euros.

Ekspertët presin që kjo tendencë të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim, që përfaqësojnë edhe pikun e sezonit turistik. Sipas tyre, i vetmi faktor që mund të zbusë rënien e Euros mund të jetë rifillimi i blerjes nga kompanitë e sektorit energjetik. Në tregun valutor qarkullojnë zëra se KESH mund të blejë rreth 30 milionë Euro për nevojat e veta, por një operacion i tillë nuk është i konfirmuar zyrtarisht.

Euro ndërkohë po humbet pikë edhe në tregjet ndërkombëtare. Kursi mes Euros dhe Dollarit Amerikan u ritkhye në raportin 1 me 1, për hertë të parë pas 20 vjetësh, i nxitur nga shtrëngimi i shpejtë monetar që po ndjek Rezerva Federale Amerikane. Megjithatë, agjentët e tregut valutor nuk besojnë se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare kanë ndonjë ndikim të ndjeshëm në kursin Euro-Lek, që ndikohet kryesisht nga raportet e kërkesës dhe ofertës së brendshme.

Por, zhvlerësimi i Euros ndaj Dollarit reflektohet edhe në kursin e Lekut kundrejt monedhës Amerikane. Dollari u këmbye sot me 117.51 Lekë, 0.79 Lekë më shumë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Kursi i Dollarit ka arritur tashmë nivelin më të lartë që prej vitit 2017.

Mbiçmimi i Dollarit luan një rol në shtrenjtimin e një disa lëndëve të para jetike që kuotohen në këtë monedhë, si, për shembull, karburantet apo gruri.

S'KA KOMENTE