Rënia e euros/ 7 shoqata eksportuese letër qeverisë: Normalizoni situatën, po falimentojmë.

Rënia e euros/ 7 shoqata eksportuese letër qeverisë: Normalizoni situatën, po falimentojmë.

87
SHPËRNDAJE

7 shoqata të eksportuesve në Shqipëri shprehen të shqetësuar për rënin e monedhës euro në raport me monedhën vendase. Në një letër dërguar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministres së Financave, shoqatat kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për të rregulluar këtë situatë.

“Rënia e monedhës euro në raport me monedhën vendase në nivelet më të ulëta historike, ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë rëndë një pjesë të konsiderueshme të subjekteve të biznesit, gjë e cila shoqërohet me impakte shumë negative në ekonominë e vendit në përgjithësi. Ky fenomen nuk mund të lihet në ‘rënie të lirë’ me arsyetimin e thjeshtë se çdo gjë e përcakton tregu”.

Në letër eksportuesit thonë se rënia e euros po çon bizneset drejt falimentimit, duke çuar në humbjen e vendeve të punës dhe mosrritjen në vazhdim të pagës së punonjësve.

“Zhvlerësimi i monedhës euro ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendas duke çuar shumë subjekte drejt falimentimit. Ky fenomen negative iu kushton masivisht qytetarëve shqiptarë humbjen e vendeve të punës, reduktimin e mundësive për vende të reja pune dhe në mënyrë të pashmangshme mosrritjen në vazhdim të pagës”.

Eksportuesit theksojnë se rënia e euros në nivelet më të ulëta të ulëta historike rrezikon kthimi në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”.

Nisur nga kjo situatë ata i kërkojnë guvernatorit dhe ministres së Financave, që të bëjnë një analizë të detajuar mbi impaktet e kursit të këmbimit në ekonomi, të bëjnë transparencë për faktorët natyralë dhe jo natyralë që po e shkaktojnë këtë ecuri të kursit si dhe të marrin vendime për të normalizuar situatën duke ndërhyrë në treg.

Monedha europiane po njeh rekorde të reja në këmbimin me lekun vendas. Këtë të premte një euro shitej në kufijtë e 111.03 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë.

S'KA KOMENTE