Kryeministri Edi Rama ka folur sot për marrëdhënien e tij me ish-zyrtarin e FBI Charles McGonigal si dhe takimet me të.
Rama tha në Top Channel se zyrtarin e FBI e ka takuar me kërkesën e tij.
“Unë nuk kam heshtur kam thënë atë që mund të them unë në kushtet kur nuk ka absolutisht asnjë me mua po me qeverisën apo me këdo qoftë tjetër zyrtar shqiptar. Çështja ka marrë shumë bujë, jo për shkak të aspektit të hetimit që lidhet me Shqipërinë, por për shkak të akuzës ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI me një oligark rus. Unë dua të përsëris se nuk kam dhe shumë çfarë të them mbi këtë çështje, por duke qenë se refuzova të jem dhe do të refuzoj në mënyrë të vazhdueshme në një sallë Kuvendi dhe të përfshihem në një debat me një opozitë me një nivel etik që për fat të keq më ka tërhequr dhe mua në atë nivel. Them që me qetësi të shpjegohen ato që mund të shpjegohen. Zyrtarin e FBI e kam takuar me kërkesën e tij, ka ardhur dhe e kam pritur në zyrë. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse dhe ka folur për rajonin. Takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat ose i pranisë këtu që jam takuar miqësisht ose në SHBA kur kam qenë në Asamblenë e OKB, kam qenë në zyrat e FBI ku kam takuar edhe koleg të tij. Nuk shikoj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, një marrëdhënie normale. Nuk kam pse njoftoja ambasadën”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë njohje me oligarkun rus Oleg Deripaska, për të cilin po hetohet në SHBA ish-zyrtari i lartë FBI-së Charles McGonigal.
Sipas tij, akuzat për lidhje me oligarkun rus janë gënjeshtra të opozitës.
“Me oligarkun rus Shqipëria nuk ka asnjë lidhje, qeveria asnjë lidhje, unë jo e jo”, tha Rama.
“Mund të them që kompanitë për të cilat flitet, kanë marrë kontrata e peshqeshe direkte nga qeveria e mëparshme dhe që në rastin e qeverisë sonë s’kanë marrë asnjë kontratë. Qeveria jonë nuk ka bërë asnjë peshqesh për asnjë kompani duke dhënë fusha nafte pa garë. Kemi bërë garë ndërkombëtare. Flluskë e jashtëzakonshme sepse nëse ka kërkime për të bërë për origjinën e kompanive dhe si kanë hyrë e dalë në vendin tonë, mund ta bëjë kushdo që ka durimin t’i shkojë në gjenezë kësaj historie. Kanë marrë copa Shqipërie peshqesh nga qeveria e mëparshme. Bërtet kapni hajdutin, ai që është hajduti vetë.
Në rast se do ishim në pozita të kundërta do ngrinim pyetje, do kërkonim debat por kurrë s’do i thoshim shqiptarëve është tradhti kombëtare dhe i akuzuar është kryeministri.
Nuk ka asnjë implikim as timin as të një zyrtari të lartë apo të ulët shqiptar sepse ndryshe do ishin në aktakuzë. As personi A apo B nuk janë”, tha Rama.
Ai mohoi të ketë pasur njohje dhe me Agron Nezën dhe se ia ka prezantuar vet McGonigal.
“McGonigal e kam takuar së bashku me një shqiptaro-amerikan që ma prezantoi si mikun e tij. Nuk e kam takuar me biznesmenë. Nuk kemi diskutuar për asnjë lloj biznesi apo për ndonjë lloj përfitimi”, tha Rama.
I pyetur nëse do ishte surprizuar nëse drejtësia shqiptare do të niste hetim, ai tha se këtu nuk ka çështje.
“Nuk më surprizon asgjë por këtu nuk ka çështje se po të kishte do e hapnin ata që nuk falin as presidentët e ish presidentët e tyre por shkojnë në shtëpi dhe e kontrollojnë”, tha Rama.