Qeveria paguan 284 milionë lekë vetëm për çështjet të hapura ndaj Shqipërisë...

Qeveria paguan 284 milionë lekë vetëm për çështjet të hapura ndaj Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare

41
SHPËRNDAJE

Në vitin që lamë pas qeveria ka paguar rreth 284 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro vetëm për çështjet të hapura ndaj Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare dhe që lidhen me kontrata dhe institucione të ndryshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se këto pagesa përfshijnë të paktën pesë çështje në vijim.

“Në vitin 2021, vlera totale e vendimeve të arbitrazhit të paguara nga buxheti i shtetit rezultoi në masën rreth 283.85 milionë lekë. Nga këto:

–          84.9 milionë lekë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë dhe procesin e anulimit të një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar.

–          83.2 milionë lekë Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM), për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësim dhe mbrojtje, lidhur me një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar.

–          78.1 milionë lekë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për pagesën e shërbimeve juridike lidhur me procesin e anulimit të një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar.

–           28.9 milionë lekë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për pagesën e kostove administrative të Gjykatës lidhur me një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar.

–          8.75 milionë lekë Autoriteti Rrugor Shqiptar, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin në procedurat e anulimit të një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar” thuhet në dokumentin e Ministrisë së Financave e cila bën shënimin se këto të dhëna bazohen tek raportimet zyrtare të dërguara në MFE nga Avokatura e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse.

Në të njëjtin dokument Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pranon se në vazhdimësi dhe me këmbëngulje, ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre, si edhe disiplinimin e procesit të shlyerjes financiare të përfituesve.

“Kjo, me qëllimin final të lehtësimit, reduktimit dhe/ose shmangies së barrës financiare mbi buxhetin e shtetit” thuhet në raport.

Shqipëria ka aktive në gjykatat ndërkombëtare një sërë çështjesh që lidhen me prishje të njëanshme kontratash. Viteve të fundit janë vendime kundër Shqipërisë të tilla si ajo me AKTOR dhe Copri për autostradën Tiranë-Elbasan, çështja me biznesmenin italian Becchetti për të cilat vendi duhet të paguajë miliona euro ndërkohë potencialisht detyrimet e Shqipërisë mund të rriten edhe më shumë për shkak të disa çështjeve ende në proces gjykimi dhe që kapin vlera qindra miliona euro në pretendimet e kompanive.Monitor

S'KA KOMENTE