Profesionistët e lirë do të paguajnë taksa me shume cdo vit

Profesionistët e lirë do të paguajnë taksa me shume cdo vit

95
SHPËRNDAJE

Profesionistët e lirë do të paguajnë rreth 2 miliardë lekë (17 milionë euro) taksa më shumë çdo vit, si rrjedhojë e ndryshimit të taksimit të parashikuar për ta në draftin e ri për tatimin mbi të ardhurat, që pritet që të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Shifra është publikuar në relacionin e projektbuxhetit të shtetit 2023. “Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me 2 miliardë lekë në vit”, thuhet në relacion.

Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i hedhur për konsultim më herët gjatë këtij viti nga Ministria e Financave, parashikon ndryshime thelbësore në skemën e tatimit të biznesit të vogël, por, në shumicën e tyre, këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm në vitin 2029.

Përjashtim do të bëjnë vetëm personat fizikë që veprojnë si profesionistë të lirë, për të cilët parashikohej aplikimi i tatimfitimit duke filluar nga viti 2023. Ndonëse drafti është shtyrë dhe nuk pritet të fillojë zbatimin në janar, ai është në plan që të miratohet dhe hyjë në fuqi brenda vitit 2023.

Projektligji parashikon se profesionistët e lirë do të paguajnë tatim të përshkallëzuar deri në masën 23%. Qëllimi i kësaj mase është të barazojë tatimin e të vetë punësuarve me atë të individëve të punësuar, por duke njohur një masë të caktuar shpenzimesh vjetore (sa 30% e xhiros për veprimtaritë e pavarura) para fitimit mbi të cilin do të aplikohet tatimi.

Shkalla tatimore do të jetë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2 milionë e 40 mijë lekë (170 mijë lekë në muaj), ndërsa mbi këtë prag shkalla e tatimit do të arrijë në 23%.

Pasi qeveria shqiptare nisi aplikimin e tatimit progresiv mbi pagat në vitin 2014, shumë profesionistë shërbimesh vendosën ta deklaronin veten si të vetëpunësuar, megjithëse në realitet vazhdonin të ishin të punësuar pranë një punëdhënësi të vetëm. Një sjellje e tillë u nxit më shumë pas vendimit për të përjashtuar plotësisht nga tatimi mbi të ardhurat biznesin e vogël.

Për të korrigjuar këtë hapësirë shmangieje që kishte krijuar trajtimi i diferencuar tatimor mes të punësuarve dhe të vetë punësuarve, qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin, duke aplikuar edhe për këta të fundit një shkallë të njëjtë me atë të tatimit për të ardhurat nga paga.

S'KA KOMENTE