Pastrimi i parave, rekord raportimesh në 2021

Pastrimi i parave, rekord raportimesh në 2021

67
SHPËRNDAJE

Viti 2021 ka shënuar numrin më të lartë të raportimeve për raste të dyshuara për pastrim parash në pesë vitet e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bën me dije se në drejtim të saj kanë mbërritur 1,581 raportime, me një rritje prej më shumë se 10% krahasuar me një vit më parë. Institucioni bën me dije se raportimet për transaksione të dyshimta janë bërë më së shumti nga bankat, të cilat për vitin 2021 përbëjnë 46% të numrit total të RAD, e ndjekur nga raportimet nga subjektet noter me 30 % dhe institucionet financiare për transferimin e parasë me 18%.

Sa i përket llojeve të transaksioneve të dyshimta, ato vijojnë të dominohen nga blerja e pasurive të paluajtshme me burime fondesh të paqarta. Në vendin e dytë renditen transfertat e dyshimta apo anomalitë e theksuara që i shoqërojnë ato. Në vendin e tretë janë konstatimet se personat që kanë kryer transaksionet apo shitblerjet janë të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. Huamarrje/sponsorizime/dhurime për/nga të tretë, që në dukje janë fiktive, edhe për këtë vit rezulton një prej rrugëve më të përdorura për pastrimin e parave.

Depozitimet me para në dorë me burim të pajustifikuar të ardhurash është një tjetër tipologji që ka vënë në lëvizje subjektet raportues, ashtu si dhe Transaksionet e pa mbështetura me dokumentacion që justifikon burimet e parave, apo të dhëna të tjera të besueshme mes personash juridik. Ndërkohë që në lista nuk mund të mungonin as veprimet, transaksionet, apo investimet e dyshimte të kryer nga persona të lidhur politikisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bën me dije se pjesën më të madhe të raportimeve të dyshimta, ose 58% të totalit, i kë dërguar për procedim në SPAK.

S'KA KOMENTE