Mediat e huaja pasqyrojnë protestën e mbajtur nga opozita. Ja çfarë shkruajnë

Mediat e huaja pasqyrojnë protestën e mbajtur nga opozita. Ja çfarë shkruajnë

158
SHPËRNDAJE

ARTIKULLI I AP

Mijëra mbështetës të opozitës shqiptare protestuan të shtunën kundër krizës së kostos së jetesës në vend, duke e fajësuar qeverinë e qendrës së djathtë për korrupsion. Mbështetësit e opozitës u mblodhën para godinës kryesore të qeverisë, me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, se ai duhet të jepte dorëheqjen.

Protesta ishte kryesisht paqësore, por në fund disa protestues thyen linjën e policisë dhe spërkatën me bojë të kuqe dyert kryesore të godinës së Kryeministrisë. Të tjerë ndezën qirinj për të kujtuar dy persona të vrarë nga policia vitet e fundit.

Policia ndërhyri dhe të paktën një protestues u shoqërua. Shqipëria ka parë një rritje çmimi prej 8% këtë vit, veçanërisht për ushqimet bazë dhe karburantet pas pushtimit rus të Ukrainës. Mbështetësit e opozitës kanë fajësuar gjithashtu Ramën për mijëra të rinj që largohen çdo vit nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Protesta u organizua nga Partia Demokratike, ku mori pjesë lideri i saj Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër 78-vjeçar dhe ish-presidenti Ilir Meta, tani lider i Partisë së Lirisë.

Shqipëria mban zgjedhjet bashkiake në maj. Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin opozitën, e cila është zotuar të dyfishojë pagat dhe pensionet nëse kthehet në pushtet.

Por partia e tij është goditur nga grindjet e brendshme pasi Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken vitin e kaluar ndaloi Berishën dhe të afërmit e tij të ngushtë të hynin në SHBA për “akte korruptive që minuan demokracinë” gjatë mandatit të tij si kryeministër 2005-2013.

S'KA KOMENTE