Licencimi i fotovoltaikut në Karavasta, ERE shtyn afatin

Licencimi i fotovoltaikut në Karavasta, ERE shtyn afatin

93
SHPËRNDAJE

Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë edhe me 30 ditë të tjera afatin për të dhënë një vendim mbi kërkesën e bërë nga kompania Karavasta Solar për t’u licencuar në prodhimin e energjisë elektrike.

Enti ka argumentuar se kjo kohë është e nevojshme për kompaninë për të plotësuar dokumentacionin  e nevojshëm përpara licencimit.

“Duke qenë se shoqëria “KARAVASTA SOLAR” sh.p.k. ka plotësuar një pjesë të konsiderueshme të dokumentacionit të kërkuar nga Rregullorja, vlerësohet që të zgjatet me 30 (tridhjetë) ditë pune afati i vendimmarrjes së bordit mbi aplikimin e shoqërisë për t’u licencuar në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, duke i dhënë kështu mundësinë shoqërisë që të plotësojë dhe dokumentacionin e mbetur ende pa u plotësuar i cili duhet të depozitohet brenda 20 (njëzet) ditëve pune” thuhet në një nga vendimet e fundit të marsit të Entit.

Aplikimi për licencë prodhimi

Në dhjetor të vitit të shkuar kompania “Karavasta Solar” aplikoi për licencim në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike për projektin e impiantit fotovoltaik me kapacitet të instaluar 140 MW. “Karavasta Solar” është kompania shqiptare pjese e kompanisw franceze “Votlalia” e cila u shpall fituese për projektin fotovoltaik.

Kujtojmë që qeveria zhvilloi procedurën për impiantin e Karavastasë gjithë vitit 2020 dhe shpallja e kompanisë fituese në këtë rast “Voltalia” u bë në muajin maj të po atij viti. Kompania ofroi një çmim 24,89 euro për megavat, shumë më i favorshëm sesa tavani prej 55 eurosh për megavat që kishte vendosur më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në dokumentet e saj.

Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

“Voltalia” më pas mori pjesë dhe u shpall fituese edhe për ndërtimin e një tjetër impianti siç është ai i Spitallës. Në mars  të vitit 2021 qeveria hapi ofertat për ankandin ku kompania ofroi një çmim 29.89 euro/MWh.

S'KA KOMENTE