Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez, hapet rruga drejt BE-së

Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez, hapet rruga drejt BE-së

98
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin francez me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në momentin e votimit opozita braktisi sallën në shenjë proteste, ndërkohë që ky hap i rëndësishëm pritet ti hapë rrugë konferencës së parë ndërqeveritare edhe për Shqipërinë. 

Prej 3 ditësh, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut diskutonte për propozimin e Francës që zgjidhte ngërçin me Bullgarinë, shtet ky që ka vendosur veton dhe mban bllokuar procesin e negociatave për RMV-në, e rrjedhimisht edhe për Shqipërinë duke qenë se dy vendet janë së bashku në këtë proces.

Njëkohësisht, në Shkup janë zhvilluar protesta kundër propozimit francez, të cilat janë organizuar nga opozita maqedonase.

Me miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, pritet që javën e ardhshme të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe RMV-së me Bashkimin Europian për hapjen e negociatave. Liderët europianë i kishin bërë thirrje Shkupit zyrtar që të pranonte propozimin francez, ndërsa partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar fort.

Nëse propozimi francez nuk do të ishte miratuar nga Parlamenti maqedonas, Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar dy ditë më parë nga një konferencë me eurokomisionerin Varhelyi se Shqipëria do të bënte kërkese zyrtare për t’u ndarë nga procesi me Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave.

Cili është ‘Propozimi francez’ i miratuar sot?

Drafti parashikon që së pari të garantohet futja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”. 

Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. 

Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.

S'KA KOMENTE