Kanë mbetur vetëm pak orë nga hyrja në fuqi e reciprocitetit midis Kosovës dhe Serbisë, ndaj situata në Veri të vendit sa vjen e tensionohet, me qytetarët serbë që kanë përdorur edhe armët, ndërsa kanë dhunuar disa qytetarë shqiptarë.
Vendimi i Prishtinës për të zëvendësuar të gjitha targat serbe, duket se i ka bërë këta të fundit të dalin në rrugë dhe të krijojnë barrikada, ndërsa sirenat kanë rënë në të gjitha qytetet e veriut të Kosovës ku serbët janë shumicë.
Dy rrugë arteriale që të çojnë në kufirin administrativ me Serbinë u bllokuan nga serbët të cilët vendosën barrikada duke vendosur kamionë të rëndë pingul me rrugën.
Ndërkohë, që rrugët mbahen të bllokuara nga serbët, forcat speciale të Policisë së Kosovës janë nisur nga Prishtina e Vushtria drejt kufirit administrativ me Serbinë.
Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, serbët po demonstrojnë në sheshin qendror në të njëjtën kohë në pjesën jugore të qytetit, sipas të dhënave të medias, por edhe shqiptarët po përgatiten për tubime.
Forca të forta policore dhe ushtarë të forcës ndërkombëtare paqeruajtëse KFOR janë vendosur përgjatë lumit Ibër që ndan pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.