KPK e shkarkoi gjyqtaren e Fierit për balanca negative në vlera të...

KPK e shkarkoi gjyqtaren e Fierit për balanca negative në vlera të mëdha

893
SHPËRNDAJE

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja e Fierit, Matilda Shalla nuk arriti të dokumentojë të ardhurat e ish-bashkëshortit nga biznesi, duke rezultuar me balancë negative prej 57.3 milionë lekësh.

Gjyqtarja e Fierit, Matilda Shalla u shkarkua nga detyra më 28 prill, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ajo kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë e krijuara gjatë martesës, për shkak të mungesës së burimeve financiare në vlera të mëdha.

Nga analiza financiare e kryer në KPK për dy apartamente, një garazh, një automjet si dhe për shpenzimet e tjera të deklaruara, ka rezultuar një balancë negative totale në vlerën 57.3 milionë lekë.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Shalla u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian, që vendosi ta përmbyllë hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë.

Matilda Shalla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2009 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Në vendimin e arsyetuar të KPK konstatohet se balancat negative më të mëdha kanë rezultuar për shkak të pamundësisë së subjektit për të provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat e ish-bashkëshortit nga shoqëritë ku ai rezultonte në cilësinë e ortakut. Sipas Komisionit, nga hetimi ka rezultuar se shoqëritë nuk kanë ndarë dividend dhe për këtë arsye nuk janë konsideruar si burim të ardhurat e deklaruara. KPK e ka shtrirë analizën financiare vetëm në burimet e pasurive të krijuara gjatë martesës.

Për një apartament me sipërfaqe 136 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2013 nga “Raiffeisen Bank”, subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” se ka parapaguar 80 mijë euro ish-bashkëshorti. Në seksionin e detyrimeve financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë Shalla ka deklaruar dhe kredi bankare në shumën 95 mijë euro të marrë në dhjetor të vitit 2013, po nga “Raiffeisen Bank”, me objekt “blerje shtëpie”. Si kolateral është vendosur apartamenti i blerë me sipërfaqe 136 m2. Po ashtu, ka shënuar se gjendja e detyrimit të mbetur pa shlyer është në shumën 92 mijë e 122 euro.

Kjo pasuri rezulton të ketë qenë më parë në pronësi të Shallës dhe ish-bashkëshortit, por është vendosur si kolateral prej këtij të fundit për një kredi të marrë nga një prej shoqërive që administronte. Pasi ka dështuar të shlyejë kredinë, apartamenti është kaluar në pronësi të “Raiffeisen Bank” nëpërmjet një vendimi të përmbaruesit gjyqësor të nëntorit të vitit 2013 dhe një muaj më vonë është riblerë nga subjekti.

Në lidhje me riblerjen e kësaj pasurie nga “Raiffeisen Bank” në vitin 2013, Komisioni konkludon se subjekti nuk arriti të provonte ligjshmërinë e burimeve të krijimit të shumës prej 80 mijë euro, të paguar si këst paraprak nga ish-bashkëshorti.

Për të sqaruar burimin e shumës 80 mijë euro, gjyqtarja Shalla ka referuar një deklaratë të ish-bashkëshortit, në të cilën ai shprehet se të ardhurat kanë qenë nga bizneset e tij. Sipas deklaratës, vlera 80 mijë euro është kthyer mbrapsht nga një komapni dhe përfaqëson pagesën për një apartament tjetër të porositur pas martesës nga ish-bashkëshorti.

Komisioni ka hetuar lidhur me porosinë e këtij apartamenti në vitin 2010. Sipas KPK, ish-bashkëshorti i subjektit ka porositur në vitin 2010 një apartament me sipërfaqe 163.43 m2 për vlerën 294 mijë euro dhe duke qenë se nuk është arritur të shlyhet gjithë çmimi, në vitin 2013 është bërë zgjidhja e kontratës.

Nga hetimi ka rezultuar se ish-bashkëshorti ka paguar në vitin 2010 shumën totale 130 mijë euro për apartamentin me sipërfaqe 163.43 m2 dhe pas prishjes së kontratës i është kthyer në llogarinë e tij vlera 70 mijë euro. Pagesat e kryera në vitin 2010 nuk janë deklaruar nga subjekti dhe as prej ish-bashkëshortit. Po ashtu, nuk është deklaruar pakësimi i kësaj pasurie në 2013-ën.

Shalla ka pretenduar se nuk ka qenë në dijeni të këtyre transaksioneve dhe as nuk ka pasur mundësi të ishte në dijeni për shkak të ndërprerjes së bashkëjetesës me personin e lidhur, fakt të cilin subjekti ka pretenduar se e ka deklaruar në vitin 2010.

Por, KPK vëren se ndërprerja e bashkëjetesës nuk është parashikuar në legjislacionin e familjes si institut ligjor që shkarkon bashkëshortët nga përgjegjësia e tyre kundrejt pasurive të krijuara nga martesa dhe vërën se zgjidhja ligjore e martesës është realizuar në vitin 2014.

Për shkak se nuk është provuar që ish-bashkëshorti i subjektit të ketë përfituar dividend nga shoqëritë tregtare ku ka qenë ortak, të ardhurat nga bizneset e tij të deklaruara si burim për pagesat e kryera për apartamentin e porositur në vitin 2010 nuk janë përfshirë në analizën financiare dhe ka rezultuar balancë negative në shumën 19.3 milionë për shlyerjen e shumës 130 mijë euro.

Për rrjedhojë nuk është konsideruar në analizë shuma 80 mijë euro e pretenduar si e kthyer mbrapsht, e deklaruar se ka shërbyer për parapagesën e apartamentit 136 m2 të riblerë nga “Raifeisen Bank” në vitin 2013. Për parapagesën e vlerës 80 mijë euro në vitin 2013, ka rezultuar balancë negative në shumën 33.6 milionë lekë.

Në vijim Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar burimet që kanë shërbyer për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 22.6 m2 në Tiranë në vitin 2012, kundrejt çmimit 22 mijë euro.

Pasi është pyetur nga Komisioni, Shalla ka referuar të njëjtën deklaratë të ish-bashkëshortit për të ardhurat nga bizneset në të cilat ai është ortak, por për të cilat nuk ka rezultuar që të ketë përfituar të ardhura në formë dividendi.

Nga analiza financiare, subjekti ka rezultuar në pamjaftueshmëri të hollash në shumën 3 milionë lekë në datën e blerjes së garazhit.

Pas kalimit të barrës së provës subjekti ka shpjeguar se në deklarimin e vitit 2007, përpara fillimit të detyrës, ka deklaruar raportin dhe burimin e të drejtës së pronësisë për apartamentin dhe garazhin që disponon aktualisht. KPK vëren se në kontratë rezulton që të jetë përcaktuar se për shumën e përgjithshme prej 127 mijë e 300 eurosh, subjekti përfiton pronësinë në lidhje me një apartament dhe garazh.

Shalla ka pretenduar se e ka konsideruar të përmbushur detyrimin, në momentin që është bërë deklarimi i kontratës.

Por sipas KPK, subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur qëllim deklarimin e të drejtave të fituara nga kontrata e sipërmarrjes së datës 4 maj 2007, por ka deklaruar shprehimisht apartamentin prej 117,5 m2 që më vonë, me ndryshimet e objektit nga ana e shoqërisë ndërtuese, është tjetërsuar duke mbërritur me sipërfaqe 136 m2.

“Nëse do të ishte pasaktësi në deklarimin e parë, subjekti i kishte të gjitha mundësitë për ta saktësuar këtë deklarim për sa i takon pasurisë ‘garazh’ në deklaratën vijuese të vitit 2012, për arsye se subjekti kishte detyrimin ligjor të deklaronte ndryshimin e çdo pasurie në vetvete, apo të drejtave reale mbi të, sikurse parashikohet në ligjin nr. 9049/2003, ‘Për deklarimin e pasurive’, i ndryshuar”, arsyeton Komisioni dhe shton se në deklaratën “veting”, Shalla e ka deklaruar garazhin të blerë me kontratën e vitit 2012.

KPK vlerëson se subjekti nuk arriti të provonte se pasuria “garazh”, e fituar para detyrës është e njëjtë me atë të fituar në vitin 2012 dhe e pasqyruar në deklaratën periodike të atij viti.

Pamundësia për të provuar ndarjen e dividendit nga shoqëritë ku bashkëshorti ka qenë ortak, ka sjellë pamjaftueshmëri financiare dhe për blerjen e një automjeti në vitin 2010 për çmimin 23 mijë e 200 euro. Edmond Hoxhaj/ BIRN

S'KA KOMENTE