Godinat mbi 50-vjeçare, “në dorë” të Institutit të Ndërtimit /Pr.vendimi i qeverisë:...

Godinat mbi 50-vjeçare, “në dorë” të Institutit të Ndërtimit /Pr.vendimi i qeverisë: Auditim teknik, nëse s’janë të sigurta, prishen.

583
SHPËRNDAJE

Të gjithë objektet, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do të duhet t’i nënshtrohen auditimit teknik, që do të konsistojë në kryerjen e ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës të objekteve. Ndërkohë që, në rast se vlerësohet se objekti nuk përmbush kushtet teknike, i hapet rruga riparimit ose prishjes”.

Gjithçka përcaktohet në një projekt-vendim qeverie, i hartuar nga strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që është siguruar nga TV SCAN. Sipas dokumentit, projektvendimi bazohen në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, por gjithsesi në asnjë nen të këtij ligji nuk parashikohet një proces i tillë.

Sipas projektvendimit të qeverisë subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve. Ndërkohë që, auditimi teknik do i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës.

“Instituti i Ndërtimit me kryerjen e oponencës jep mendimin e tij, i cili mbizotëron mbi aktauditimin teknik dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, – thuhet ndër të tjera në dokument. Pas kryesrjs së oponencës dhe analizimit ekonomiko-financiar mbi mundësinë më optimale për të riparuar apo prodhur dhe rindërtuar objektin, Instituti i Ndërtimit informon ministrinë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit apo bashkinë nën juridiksionin e të cilit ndodhet territori ku ngrihet objekti, mbi konkluzionin e arritur”, – vijohet më tej.

Po ashtu, vendimi specifikon se vendimi për prishje të objektit mund të merret në rast se vlera për riparim është e barazvlefshme ose më e madhe se vlera për ndërtimin e tij. “Për kryerjen e prishjes, riparimit ose ndërtimit të objekteve, nga nisja e këtyre proceseve, deri në procesin përfundimtar të certifikimit të punimeve, institucionet përgjegjëse zbatojnë procedurën dhe rregullat sipas legjislacionit në fuqi”, – shtohet në dokument, që gjithsesi nuk specifikon se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës dhe pronarët e tyre. Një proces i ngjashëm u ndoq edhe me godinat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorin, teksa shumë prej pronarëve kanë akuzuar qeverinë për grabitjen e pronës./TV SCAN

S'KA KOMENTE