
Klodiana Lala ka treguar një episod mjaft komik me një polic të doganës dhe trafikantët e drogës që përpunohej në Fier dhe u kap nga policia shqiptare në bashkëpunim me DEA-n.
Lala tha se një polic i doganës kishte kërkuar disa thasë me pleh, në këmbim të favorizimit për kalimin e plehut, por nuk dinte se plehu ishte i përzierë me kokainë. Trafikantët ishin të shqetësuar, se pas përdorimit të plehut të përzierë, policit do ti thaheshin ullinjtë!
“Viktor Cervanaku nuk ishte vetëm një ish kryekomunar. Ishte personazh që kishte punuar për vite me rradhë në Policinë e Shtetit. Ruante lidhje shumë të forta me zyrtarë të policisë dhe institucionet e vendit. Viktor Cervanaku, e them me siguri të plotë, mënyra si ishte përgjuar nga Prokuroria e Posaçme, në rastin konkret autoritetet shqiptare ishin të detyruara të ndërhynin sepse ishin autoritetet malazeze të informuara, ishin autoritetet greke dhe DEA amerikane. Mënyra si ai fliste në telefon, dëshmonte për siguri dhe garanci të jashtëzakonshme.
Në një nga përgjimet, ai flet me një agjent doganor, i kërkon të nxitojë dhe të bëjë gati dokumentat e plehut dhe e reklamon plehun me krenari dhe thotë djali ka sjelle pleh të mirë. Pastaj merrte vëllain, i thoshte dëgjo ruaje si sytë e ballit, sepse kishte rënë shi para se të shkonte kimisti kolumbian. Kishte marrë masa për ruajtjen me armë të lëndës narkotike. Madje kishte raste që ishte gjuajtur me armë për të trembur kundërshtarët.
Kishte shkuar deri aty sa të ndërhynin, njëri nga punonjësit e doganës kishte kërkuar, si shpërblim 4 thasë me pleh. Në momentin që kishte marrë katër thasët me pleh, trafikantët e dyshuar, ngrinin shqetësimin dhe thoshin mirë që e mori, problemi është që do ti thahen ullinjtë sepse brenda plehut kishte kokainë. Deri këtu kishte vajtur puna.
Gjëja tjetër, që duhet vënë pikat mbi i, është fakti që sa herë kapet kokainë në Shqipëri ke ose zyrtarë të doganave, ose të tatimeve, ose zyrtarë të policisë, ose zyrtarë shtetërorë.
Cervanaku ishte funksionar që po tentonte të riciklohej në politikë. Nga ana tjetër, ishte shndërruar në trafikant droge”, deklaroi Lala.