Merita Hajdari, një grua e moshuar dhe në gjendje të vështirë ekonomike është paraqitur në SPAK dy ditë më parë, pasi rezulton si pronare e një prej kompanive fiktive e dyshuar për evazion fiskal. Ajo shkoi vetë në organin e akuzës për të marrë informacion për rastin e saj.
E moshuara rezultonte me dokumente si përfaqësuese ligjore e kompanisë që ndërvepronte me inceneratorin e Tiranës, “Elvis-07”, ndërsa sot skandali është thelluar dhe më shumë. Merita Hajdari figuron edhe pronare me 100% të aksioneve të kompanisë “ELJADI shpk”, që merret me përpunimin inerteve.
Kompania është themeluar në 2010 dhe ka si qendër Fushë-kuqen në Laç. Në gusht të 2016 kjo kompani ka aplikuar në QKR për pezullimin e aktivitetit, ndërkohë që disa muaj më pas në janar të 2017, kompania e pezulluar i është shitur për 100 mijë lekë Merita Hajdarit.
Kjo e fundit mohoi kategorikisht për News 24 përfshirjen në këtë transaksion, ndërkohë që dokumentet e administruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit përmbajnë gjeneralitetet e saj, numrin personal dhe kartën e identitetit.