Droga në pleh kimik në Frakull, grupi kriminal qëlloi me armë mbi...

Droga në pleh kimik në Frakull, grupi kriminal qëlloi me armë mbi agjentët

595
SHPËRNDAJE

Të shtëna me arme mbi policinë në operacionin e disa muajve më parë në Frakull të Fierit, ku u zbuluan mbi 400 kg kokainë në pleh kimik. 

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se në operacionin e rreth 4 muajve, ku u zbulua laboratori i kokainës në banesën e ish-kryekomunarit të PS Viktor Çervanakut, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë. 

Agjentë civilë janë zbuluar nga grupi kriminal, ku bënte pjesë ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, vëllai dhe djali i tij. 

Në këto rrethana, duke qenë mes rrezikimit të jetës së efektivëve dhe shanseve që operacioni të dështonte, pas 15 minutash, është vendosur ndërhyrja e forcave operacionale, duke çuar në prangosjen e disa personave.

Në të njëjtën ditë, kimisti kolumbian Zamir Rodrigez, ka arritur të arratiset nga fshati, teksa një patrullë rrugore ka tentuar ta ndalojë në Lushnje. Ai nuk i është bindur, duke marrë drejtimin për Durrës dhe pas disa minutash është sinjalizuar në Vorë për herë të fundit. 

Në këtë zonë, ai është futur nëpër rrugë rurale dhe të pyllëzuara duke shpëtuar përfundimisht nga sytë e shërbimeve që e kishin nën monitorim, dhe dyshohet që në mënyrë të paligjshme të ketë dalë jashtë territorit shqiptar. 

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka nisur letër-porosi në Mal të Zi, shtet ku edhe në koordinim me DEA-an amerikane nisi mbikëqyrja e lëvizjes së plehut kimik nga autoritetet shqiptare, ku fshihej mbi 485 kg kokainë, si dhe Kolumbisë, ku është edhe vendnisja e ngarkesës. Asnjëri prej këtyre shteteve nuk ka kthyer përgjigje deri më sot.

S'KA KOMENTE