Deputetët e Kuvendit harxhojnë nga buxheti shtetit vetëm për karburant 40 mijë...

Deputetët e Kuvendit harxhojnë nga buxheti shtetit vetëm për karburant 40 mijë euro në muaj

120
SHPËRNDAJE

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë harxhojnë nga buxheti i shtetit vetëm për karburant 40 mijë euro në muaj, pa llogaritur këtu pagesat e tjera, bonuset mujore apo pagat neto që përfitojnë.

Duke analizuar të dhënat e pagave dhe shpërblimeve, 1 deputet shpenzon nga buxheti i shtetit rreth 5 mijë euro në vit, ndërsa 127 parlamentarët, pasi 13 janë pjesë e qeverisë, harxhojnë në vit plot 480 mijë euro vetëm për karburantin. Por ligjvënësit shqiptarë nuk përfitojnë vetëm karburantin në ushtrimin e detyrës së tyre.

Një deputet trajtohet gjithashtu edhe me pagesë mujorë për telefonin, bonus qiraje për ata që vendosin të qëndrojnë në Tiranë, dieta për udhëtimet zyrtare dhe pagesa për pjesëmarrje në komisionet parlamentare. Vetëm nga një vështrim i thjeshtë në listën e përfitimeve të muajit të fundit rezulton që 127 deputetët kanë përfituar plot 4.437.383 lekë, shkruan Gazeta Panorama. Por edhe ky përfitim nuk është njësoj për të gjithë deputetët pasi ata që përfaqësojnë zonat e largëta, përfitojnë edhe më shumë.

Konkretisht, dy deputetë që përfaqësojnë Gjirokastrën paguhen nga 40 mijë lekë në muaj, aq sa përfitojnë edhe 3 deputetët e Kukësit. Të njëjtën shifër përfitojnë edhe 12 deputetët e Vlorës, 15 të Fierit, 10 të Shkodrës dhe 7 të Beratit. Një shumë ndërmjet 33 dhe 40 mijë lekë përfitojnë 9 deputetë të Korçës, nga 31 deri 40 mijë lekë 12 deputetët nga Durrësi dhe nga 30 deri në 40 mijë lekë 30 përfaqësuesit e qarkut Tiranë. 13 deputetët e qarkut të Elbasanit përfitojnë një shifër fikse prej 33 mijë lekësh në muaj, ndërsa 7 ligjvënësit e Lezhës përfitojnë nga 34 mijë lekë. Shifrat më të vogla për qarqet e largëta i përfitojnë kryesisht ata deputetë që jetojnë në Tiranë.

Pavarësisht se pagesat për karburantin janë në bazë të largësisë, deputetët e Kuvendit lëvizin me mjete luksi, të cilat kanë edhe një konsum më të lartë të karburantit. Nga një vështrim i thjeshtë rezulton se ligjvënësit shqiptarë kanë në pronësi dhe lëvizin me mjete si: “Benz S Class” me vlerë 60 mijë euro, “Hyundai” 50 mijë euro, “Volvo” 50 mijë euro, “Range Rover” dhe “Volksvagen” 30 mijë euro.

Megjithatë, deputetët e Kuvendit vetën në muajin janar 2022 kanë shpenzuar nga buxheti i shtetit 5.6 milionë lekë vetëm për dieta dhe 2.13 milionë lekë për komunikimin e tyre në telefon. Pjesëmarrja në komisionin e ligjvënësve i ka kushtuar buxhetit mbi 1 milion lekë dhe për qira 525 mijë lekë. Rritja e ndjeshme e çmimit të naftës që nxori në protesta mijëra shqiptarë detyroi qeverinë të ulë shpenzimet për zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë kabinetin qeveritar dhe Kuvendin. Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Që nga unë, te ministrat, deputetët e deri te drejtuesit e tjerë të administratës, qeveria do të paguajë 50 për qind të shpenzimeve për naftë, pjesën tjetër të shpenzimeve le ta paguajnë nga xhepi, nëse nuk kursejnë dot”, si pjesë të masave për përballimin e krizës, gjë që zvogëlon të ardhurat në portofolin e deputetëve.

10 ligjvënësit që kanë shpenzuar më shumë para në janar

Pavarësisht se cilit krah politik i përkasin dhe largësisë edhe përfitimet e deputetëve për punën në Kuvend gjatë një muaji ndryshojnë. Duke u hedhur një sy përfitimeve të ligjvënësve për muajin janar rezulton se nga pagesa e karburantit, telefonit, dietave dhe pjesëmarrjes në komisione ka nga ata që i kanë kaluar 1 milion e gjysmë lekë përfitime neto në muaj për të gjitha të bashku. Kështu, deputetja e PD-së së Shkodrës, Greta Bardeli, është në krye të listës pasi ka përfituar më shumë në muajin janar plot 197.5 mijë lekë. I dyti në radhë renditet deputeti i PSD-së i Shkodrës, Gledis Çeliku, me 173.9 mijë lekë. Në radhë i treti renditet deputetja e PD-së në qarkun e Fierit, Eralda Bano, me 172.9 mijë lekë dhe në vendin e katërt renditet Niko Kuri i PS në Vlorë me 166.6 mijë lekë. Tre deputetët rezultojnë të kenë përfituar të njëjtën shumë gjatë janarit. Nusret Avdulla i PD-së në Fierit ka përfituar 165.9 mijë lekë, Enslemvera Zake e PS-së në Korçë 165.9 mijë lekë dhe Baftjar Zeqaj i PSsë që përfaqëson Fierin 165.9 mijë lekë. Ndërkohë, Sorina Koti e PD-së, deputete në qarkun e Korçës, ka përfituar 157.4 mijë lekë, Lindita Buxheli e PS e Fierit 156.2 mijë lekë dhe Ilir Penadvinji i PS-së së Korçës 155.7 mijë lekë.

S'KA KOMENTE