Çmimet fusin në borxhe 26% të familjeve shqiptare

Çmimet fusin në borxhe 26% të familjeve shqiptare

34
SHPËRNDAJE

Çmimet e larta dhe inflacioni ka rritur numrin e familjeve shqiptare që janë detyruar të marrin borxhe për të përballuar shpenzimet gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, në një kohë në rritje është edhe numri i atyre që i janë drejtuar të afërmve për të marrë borxhe. Banka e Shqipërisë ka kryer një vrojtim mbi një kampion prej 1205 familjesh, i cili ka konkluduar se 26% e familjeve që janë përgjigjur (ose 275 familje), deklarojnë se kanë hua për të paguar në momentin e intervistimit. Kjo peshë është rritur me 4 pikë përqindje në terma gjashtëmujorë dhe me 2 pikë përqindje në terma vjetorë.

Totali i tepricës së raportuar të huasë ka rezultuar në rritje krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe me një vit më parë. Ndërkaq, rreth 52% e kësaj teprice është siguruar nga “burime formale” (“bankat” dhe “IFJB”) dhe 48% nga “burime joformale” (“persona fizikë” dhe “hua në formë malli”). Kjo strukturë është zhvendosur nga borxhet në burime joformale, si rezultat i rritjes së huamarrjes nga personat fizikë kundrejt rritjes së huamarrjes nga bankat dhe rënies së huamarrjes nga IFJB-të. Sipas qëllimit të përdorimit, rreth 40% e tepricës është përdorur për “blerjen/riparimin e një prone”; 26% për “zhvillimin e një biznesi”; 3% për qëllime “konsumi”; dhe 31% për “qëllime të tjera” (ku mbizotëron huamarrja për të mbuluar shpenzimet shëndetësore).

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, rreth 62% e familjeve nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa balanca neto e pjesës tjetër të përgjigjeve sugjeron për pritje pesimiste krahasuar me rezultatet e gjashtëmujorit të kaluar dhe të një viti më parë. Indeksi i arrjes/rimarrjes së një huaje në 6 muajt e ardhshëm ka shënuar rënie në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë, duke sinjalizuar ngadalësim të kërkesës së individëve për financim. Kjo është e pritshme në kushtet e rritjes së normave të interesit të huave, si rezultat i normalizimit të politikës monetare në vend.

/SCAN

S'KA KOMENTE