Çmimet e produkteve të mishit pritet të rriten

Çmimet e produkteve të mishit pritet të rriten

86
SHPËRNDAJE

Çmimet e produkteve të mishit pritet të rriten në muajin shtator.

Arsyeja e shtrenjtimit vijon të mbetet e lidhur me kostot e larta të prodhimit nga blerja me çmim të lartë të lëndëve të para nga importi.

Përfaqësuesi i kompanisë “Tona” Nikolla Tona tha për “Monitor” se nga fabrikat e huaja janë njoftuar për tjetër rritje deri në 20% më shumë të lëndëve të para nga muaji shtator.

“Vjeshta pritet të jetë katastrofike për sa i përket furnizimeve nga jashtë me lëndë të para. Nëse nga shtatori fabrikat vendase të përpunimit do të furnizohen me lëndë të parë më të shtrenjtë, sikundër jemi lajmëruar nga importuesit, do të ndikojë te kostot, që do të reflektohet sërish te çmimet e konsumatorit”, pohon ai.

Për shkak të rritjeve të kostove nga fabrikat e përpunimit të mishit çmimet për produktet salla, proshutë apo salsiçe janë shtrenjtuar 20% më shumë se vjet. Rritje të çmimeve ka pasur edhe për mishin e viçit 30% më shumë se vitin e kaluar edhe të derrit, çmimi i të cilit është dyfishuar.

Shqetësimin e kostove të shtuara nga shtrenjtimi i lëndëve të para më herët e ngriti edhe një tjetër kompani e përpunimit të mishit. Thanas Apostoli, drejtori i shitjeve te kompania përpunuese e mishit “FIX” pohoi për “Monitor” se nga vala e rritjes së çmimit të energjisë, karburantit, ambalazhimit dhe rritjes së pagave të punonjësve është prekur marzhi i fitimit të kompanisë.

“Çmimet e lëndëve të para në këtë periudhë janë stabilizuar, por sërish mbeten shumë të larta. Në raport me vjet rritja minimale e çmimeve të lëndës së kostos varion nga 10 deri 30%. Me këto nivele, kostot e prodhimit janë të larta. Rritja e çmimeve për konsumatorin nuk ka qenë aq e shpeshtë sa është rritja e çmimeve të lëndëve të para. Kostoja është amortizuar te fitimet. Çmimet për konsumatorin janë rritur vetëm 1 herë në nivelin e 7,5%”.

Rritja e çmimeve po reflektohet edhe te konsumi. Nikolla Tona pohon se konsumi për produktet e përpunuara këtë sezon është 25% më pak se vjet. Një tjetër arsye përveç shtrenjtimit të çmimeve që po ndikon te tkurrja e konsumit është edhe largimi në emigracion të popullatës.

“Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Konsumatori nëse më parë shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit sot po shpenzon 75 lekë. Në emigracion po largohen të rinjtë që zëne peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore”, thotë ai.

Prodhimi i sallamit në 2020 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë u ul 9,6% krahasuar me 2019, ndërsa prodhimi i proshutës pësoi rritje të lehtë në vlerën e 0,8%. Për vitin 2021 sipas të dhënave të Doganave importet e sallamit u rritën 21% krahasuar me 2020./Monitor

S'KA KOMENTE