Bordi i Karburanteve ka fiksuar këtë të shtunë çmimet e reja, të cilat do të jenë të vlefshme për 5 ditët e ardhshme. Në to, vërehet një rritje e dukshme, kryesisht te nafta dhe gazi i cili për herë të parë ka kapërcyer mbi 100 lekë/ litri.
Nën zë çmimet që u njoftuan sot janë artikuluar që prej mbrëmjes së djeshme, ndaj shoqëria civile ka paralajmëruar protestë. Avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj, bën thirrje që qytetarët të mblidhen në sheshin para Kryeministrisë, si përherë në orën 17.00.
“Sërish në shesh! Të martën ora 17.00 në shesh Çmimi karburanteve vijoi rritjen nga dita e fundit e protestës. Ishte me 203 lekë, sapo shkoi me 245 lekë. Pritet të shkojë mbi 250 lekë për litër. Te sheshi sërish”, shkruan Lapaj.
Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
- Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/liter për periudhën 26 mars- 1 prill 2022
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të jetë 245 lekë/litri.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 218 lekë/litri.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 26 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e premte, datë 1.04.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.