Bordi i Transparences njofton per cmimet e reja te shportes

Bordi i Transparences njofton per cmimet e reja te shportes

200
SHPËRNDAJE

Rritet me 60 lekë vaji dhe 5 lekë orizi, ulen mielli e sheqeri. Ja vendimet e reja të Bordit të Transparencës
Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja tavan për produktet e shportës. 

Rritje ka pasur në produktet e vajit dhe orizit. Në markete, vaji do të shitet me çmimin 381 lekë për litër, nga 321 lekë për litër që ishte në njoftimin e mëparshëm më datë 1 prill. Gjithashtu edhe orizi ka pësuar rritje. 

Tanimë ky produkt do të shitet 109 lekë për kg (ai kokërrgjati) ndërsa më herët ishte 104 lekë për kg. Ndërsa sa i përket uljeve, ato janë reflektuar te sheqeri. Ky produkt ishte 123 lekë për kg e tani po tregtohet 121 lekë. 

Edhe mielli ka pësuar rënie të lehtë. Në njoftimin e datës 1 prill, thuhej se ky produkt do të shitej 90.5 lekë për kg, ndërsa tani do të shitet 79 lekë për kg. Këto çmime do të reflektohen në të gjitha marketet dhe tregjet e vendit deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës. 

Njoftimi i Bordit të Transparencës: 

Vendimi i Bordit të Transparencës së produkteve të shportës datë 29.4.2022

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 29 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:
Miell

Vaj luledielli

Sheqer

Oriz kokërrgjatë
Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.
Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.
Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 11.7 % mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 3.8 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.8 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.3 % mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 12 lekë/kg.

c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 10.3 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.6 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.
Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33.9 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 19 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 5.3 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:

109 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)

121 lekë/kg për sheqerin (1 kg)

381 lekë/litër për vajin e lulediellit

79 lekë/kg për miellin masiv

Ky vendim hyn në fuqi në datë 30.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.

S'KA KOMENTE