Bashkia Mallakaster mes 31 bashkive me performance negative ne taksen e pasurise

Bashkia Mallakaster mes 31 bashkive me performance negative ne taksen e pasurise

211
SHPËRNDAJE


Të ardhurat jo në nivelin e duhur nga taksa e pasurisë kanë shtyrë qeverinë që të iniciojë ndryshime. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në 5 muajt e parë të vitit, 61 bashkitë në vend kanë mbledhur 2.7 miliardë lekë nga taksa e pasurisë, ndërsa plani vjetor është 6.9 miliardë lekë. Nëse do ti referoheshim të njëjtës periudhë për vitet e mëparshme, rezulton se ka një rënie të lehtë me rreth 200 milionë lekë nga viti 2022 dhe një rritje në raport me vitin 2020 kur ishte edhe periudha e pandemisë.

Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to (veçanërisht taksa e ndërtesës) kanë ndjekur prirje rritëse ndër vite, ndonëse me ritme të moderuara. Rreth 5 vite nga reformimi i taksës së pronës (taksa e ndërtesës), problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse. Gjithashtu, rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna dhe sipërfaqeve ndërtimore pritej të jepnin një kontribut pozitiv në të ardhurën e gjeneruar prej kësaj takse. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në mesatarisht 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore,  prej rreth 0.6% të PBB-së.

Referuar raportit të financave vendore të publikuar së fundmi, në vitin 2022, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to ishin rreth 6.1 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Ecuria vjetore e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme paraqet zhvillime pozitive në 30 nga 61 bashki në vend.

Rritja më e lartë në të ardhurat nga kjo taksë u shënua në bashkitë Kavajë (+39%), Himarë (+51%), Kamëz (+30%), Maliq (+24%) etj. Në të kundërt, të ardhurat nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme rezultojnë në rënie në 31/61 bashki si: Mallakastër (-51%), Mirditë (-37%), Peqin (-21%), Durrës (-20%), Librazhd (-17%), Rrogozhinë (-15%), etj. Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 5% ndaj totalit për periudhën e konsideruar, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë

S'KA KOMENTE