Anglia në alarm, publikohet raporti sekret: 40% e emigrantëve me gomone janë...

Anglia në alarm, publikohet raporti sekret: 40% e emigrantëve me gomone janë nga Shqipëria

396
SHPËRNDAJE

Pothuajse 500 milionë paund janë shpenzuar në 7 vitet e fundit për parandalimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve në kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian.

Në total përfshihen shuma të mëdha që i janë dorëzuar qeverisë franceze në një përpjekje për të parandaluar azilkërkuesit e mundshëm që të largohen nga brigjet e tyre, si dhe për koston fillestare të marrëveshjes së azilit që Britania e Madhe ka firmosur me Ruandan.

Por, media britanike DailyMail ka publikuar një raport sekret të ushtrisë britanike, që zbulon se 40% e emigrantëve që kanë kaluar me gomone janë nga Shqipëria.

40% e emigrantëve që kalojnë Kanalin anglez janë nga Shqipëria, një vend në paqe, jo një komb i shkatërruar nga lufta, sipas një raporti sekret të inteligjencës ushtarake”, raporton media britanike.

Gjithsej 1075 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla të organizuara nga bandat e kontrabandës së njerëzve gjatë një periudhe 6 javore këtë verë, ndërsa vitin e kaluar gjithsej 757 shqiptarë kaluan me gomone, sipas shifrave zyrtare të qeverisë britanike.

Bandat shqiptare thuhet se po blejnë gomone të fuqishme nga fabrikat kineze dhe po i përshtatin ato duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha për të vendosur sa më shumë emigrantë në bord.

Ekspertët besojnë se kalimet po ushqehen nga mediat sociale, me kontrabandistët që reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok dhe paguajnë deri në 5,500 paund për person. Ndërkohë, një oficer ndërlidhës i policisë shqiptare do të vendoset në Dover për të ndihmuar në trajtimin e problemit në rritje, por raportohet se ka mungesë të përkthyesve shqiptarë për të ndihmuar.

Zbulimi vjen në ditën kur një burrë në një kajak duhej të shpëtohej nga autoritetet britanike dje pasi u përpoq të kalonte kanalin i vetëm. 288 persona të tjerë kaluan Kanalin Anglez të premten, më 5 gusht, duke e çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë në 1,372.

Pesë varka të vogla kaluan gjatë periudhës së fundit 24-orëshe, tregojnë shifrat e qeverisë. Në fillim të kësaj jave, një rekord i ri ditor u vendos pasi 696 persona bënë udhëtimin e rrezikshëm të hënën, sipas shifrave nga Ministria e Mbrojtjes.

Kjo shënoi vetëm herën e dytë këtë vit që më shumë se 600 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes kalimeve me varka të vogla, me 651 që ishin regjistruar më 13 prill. Me 696 emigrantë të hënën, numri i përgjithshëm i njerëzve që kaluan këtë vit u rrit në 17,134.

Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme Priti Patel pritet të shpallë së shpejti një paketë të re financimi, që do të përfshijë dhjetëra milionë paund për francezët për më shumë patrullime në plazh dhe pajisje vëzhgimi.

“Rritja e kalimeve të rrezikshme të Kanalit është e papranueshme. Jo vetëm që janë një abuzim i hapur i ligjeve tona të imigracionit, por rrezikojnë jetë dhe pengojnë aftësinë tonë për të ndihmuar refugjatët që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore. Akti i Kombësisë dhe Kufijve do të na mundësojë të godasim abuzimin me sistemin dhe kontrabandistët e njerëzve, të cilët tani do të jenë subjekt i një dënimi maksimal me burgim të përjetshëm”, tha një zëdhënës i qeverisë angleze.

S'KA KOMENTE