52% e fondeve për rrugët vitin që vjen financojnë Tunelin e Llogorasë

52% e fondeve për rrugët vitin që vjen financojnë Tunelin e Llogorasë

60
SHPËRNDAJE

Përveç financimit të kontratave koncesionare, Ministria e Infrastrukturës do të realizojë rreth 12 miliardë lekë (100 milionë euro) investime në ndërtim dhe sistemim rrugësh në akset nacionale të vendit vitin që vjen.

Por sipas të dhënave nga Ministria e Financave, 52% e kësaj shume rreth 6.2 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e punimeve në Tunelin e Llogorasë. Përveç 12 miliardë lekëve, një fond i veçantë prej 4.5 miliardë lekësh do të çelët nga buxheti i vitit 2023 për financimin e kontratave koncesionare.

Investimet publike në infrastrukturën rrugore janë përqendruar këto tre dekada në periferi, duke lënë territorin e qendrës së vendit ku është e përqendruar gati gjysma e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik pa infrastrukturë.

Vitet e fundit fondet buxhetore për rrugët kanë shkuar në jug të vendit, me aksin Kardhiq-Delvinë, Qukës-Qafë-Plloçe, Korçe-Ersekë dhe së fundmi tunelin e Llogorasë që për vite të tëra po marrin pothuajse të gjitha fondet e programuara për rrugët.

Por ndërkohë Tirana-Durrësi dhe Rinasi janë me infrastrukture të vjetruar dhe nuk i përgjigjet fluksit të udhëtareve. Zona Fushë-Krujë, Tiranë -Durrës gjendet me hendek në infrastrukturë, duke i bërë jo fisibël edhe investimet e  bëra në akset periferike.

Në projektbuxhetin 2023 infrastruktura e qendrës së vendit është lënë pa financim, ndërkohë që projektet për rivitalizimin e saj kalojnë nëpër disa kontrata koncensionare PPP me kosto të larta dhe afate të gjata. As hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas nuk po përparon, një projekt që sipas afateve fillestare pritej të përfundonte këtë vit.

Pjesa verilindore e Unazës së Re, e cila nis nga Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri-Shkozë është projekti më madhor në infrastrukturën rrugore që po bëhet në qendër të vendit.

Por financimet e saj më së shumti janë përqendruar në vitin 2025 sipas grafikut të listën së investimeve që shoqëron projektbuxhetin 2023.

Zgjedhjet lokale të vitit që vjen sërish do të transferojnë fondet për infrastrukturën kryesisht jashtë qendrës. FSHZH për vitin që vjen ka një buxhet 11 miliardë, 17% më i lartë se i këtij viti.

Kjo shumë do ta përdoret për financimin e rreth 84 projekteve, shumica e të cilave nuk i përkasin qendrës së vendit.

Përveç fondeve të brendshme, financimet e huaja për infrastrukturën vitin që vjen janë rreth 20 miliardë lekë dhe të përqendruara në financimin e bypass-eve dhe linjave hekurudhore. Projektet me financim të huaj janë më vizionare dhe fisibël se financimet e brendshme.MONITOR

S'KA KOMENTE