Zgjidhet kreu i ri i SPAK

Zgjidhet kreu i ri i SPAK

55
SHPËRNDAJE
2d23d0f1 0042 49a3 8069 59cc0fa2e372

Altin Dumani, i preferuari i SHBA, është zgjedhur kreu i ri SPAK, me 5 vota nga anëtarët e KLP. Ndërkohë prokurori Edvin Kondili ka marrë 4 vota, ndërsa Adnan Xholi 1 votë.

Seanca e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e mbledhur sot për zgjedhjen e ri të kreut të SPAK, zgjati më shumë se 5 orë. Megjithëse ishte parashikuar që prezantimi i secilit prej kandidatëve të zgjaste rreth 30 minuta, ky afat u tejkalua, ndërkohë që prej orës 14:00, mbledhja u ndoq nga afër edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Diplomatja e SHBA-ve është pritur me shumë interes nga të pranishmit, ndërkohë që është ulur pranë përfaqësuesve ndërkombëtare.

Dy ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, lëshoi një mesazh në drejtim të trupës së KLP-së ku tha se procesi i sotëm nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të ndikuar në hetime.

“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Nga ana tjetër kryeministri Rama u përgjigj duke thënë se kreu ri i SPAK nuk zgjidhet nga ambasada amerikane.

“Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, vulorja, fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e performanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruajti Rama në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

kush është kreu i ri i SPAK-

Altin Dumani është prokurori i cili udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona në vitin 2021 mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujës Enkeleda Hoxha.

Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai ka lindur në Shupenzë të Dibrës. Altin Dumani është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Force, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.

Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror,  në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë. Ka pasur me pare edhe postin e kreu te komanduar te prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.

Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000.

Ai bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008. Nga viti 2019, prokuror i SPAK dhe sot drejtues i SPAK.

S'KA KOMENTE