Zbulohet si e liruan nga burgu 31 vjecarin ne Fier qe vrau...

Zbulohet si e liruan nga burgu 31 vjecarin ne Fier qe vrau ish-bashkeshorten

4812
SHPËRNDAJE

Me 22 shtator 2020, 2 ditë pasi terrorizoi Fierin për shkak kërcënoi me armë prindërit e ish-bashkëshortes dhe kundërshtoi forcat e policisë, Elton Bengaj Metaj, u dërgua nën masën e arrestit me burg dhe nëse kjo masë do të kishte vijuar dhe ai të ishte gjykuar e gjetur fajtor për 3 veprat penale, sot Sabrina Bengaj mund të ishte gjallë.

Vendimi për izolimin e tij në paraburgim u firmos nga gjyqtari Ergys Selmani, i cili më pas u largua me dorëheqje nga radhët e sistemit të drejtësisë. Mbi bazën e këtij vendimi, Metaj u dërgua në burgun e Fierit, pasi dyshohej për 3 vepra penale; ‘Dhunë në familje me anë të kanosjes’, ‘kundërshtim të forcave të policisë’, si dhe ‘mbajtje pa leje e armëve’.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ai kërcënoi prindërit e ish gruas Sabrina Bengaj, e cila u largua nga banesa e përbashkët bashkë me vajzën e mitur, pasi zbuloi tradhtinë e të shoqit. Ai shkoi në shtëpinë e prindërve të Sabrinës, për t’i kërkuar asaj të kthehej në shtëpi. Duke qenë se ajo me vëllain ishte me pushime në Vlorë, Eltoni kërcënoi me armë prindërit e saj, duke i paralajmëruar se do ti vriste.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, avokati Ermal Hamataj pretendoi se Elton Bengaj vuante nga depresioni, por nuk ngriti pretendime që ai ishte i papërgjegjshëm mendërisht. Pa u mbushur as 3 muaj të plotë, situata filloi të ndryshonte, në favor të të dyshuarit, për arsye që priten të marrin përgjigje nga hetimi. Me kërkesë të prokurorisë, bazuar në një akt të ekspertëve të mjekësisë ligjore, gjyqtari Taulant Banushi e ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në atë të shtrimit të detyrueshëm në një institucion mjekësor.

Kjo për faktin se ekspertët e konsideronin të dyshuarin si të papërgjegjshëm mendërisht. Në mars të 2021, në lojë hyn gjyqtari Piro Sota. Ai vendosi ta mbyllë Elton Bengaj në burgun e Zaharisë dhe pushoi të gjitha akuzat për të, me argumentin se një person me probleme mendore, s’mund të përgjigjej penalisht për krimet e kryera. Mbrojtja e kundërshtoi këtë vendim dhe kërkoi mendim nga mjeku psikiatër I burgut. Edhe ky foli në favor të Bengaj duke thënë se gjendja e tij ishte përmirësuar. 5 muaj më vonë, masa për të dyshuarin u lehtësua ndjeshëm, po me firmën e gjyqtarit Piro Sota, pasi edhe ekspertët e mjekësisë ligjore ndryshuan qëndrim. Duke u bazuar tek qëndrimi i mjekëve, Sota vendosi ta zbusë masën ndaj Bengajt nga shtrim i detyrueshëm në spital në mjekim ambulator nën kujdesin e babait. Sapo ai doli në liri, qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten Sabrina Bengaj, teksa kjo e fundit po darkonte në shtëpinë e prindërve në Zhupan të Fierit.B/W

S'KA KOMENTE