SKANDALI:Zbulohen nga qeveria pagat per spiunet shqiptarë

SKANDALI:Zbulohen nga qeveria pagat per spiunet shqiptarë

580
SHPËRNDAJE

Anëtarja e NATO-s, Shqipëria, poston informacion sensitiv në internet për operativët më të lartë të zbulimit të saj, me detajet për identitetin e tyre, makinat, rolet operacionalë, udhëtimet e zakonet e përditshme,  në dispozicion të publikut, duke krijuar një të çarë potencialisht të rrezikshme që mund të ketë pasoja ndërkombëtare.

Të dhëna mbi pagat e shpenzimet janë të postuara në fletëbilanci në sitin e Ministrisë së Financave dhe ofrojnë një thesar detajesh mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, përfshirë vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet e parave dhe mjetet që përdorin.

Rekordet tregojnë emrat dhe numrat e kartave të identitetit të agjentëve në shërbim, të cilët operojnë në Shqipëri e jashtë saj, përfshirë dy me poste sensitive në selinë e NATO-s në Bruksel. Bilancet zbulojnë emrat, pozicionet, pagat dhe shpenzimet e të paktën tetë operatorëve sekretë të rëndësishëm – disa punojnë nën petkun diplomatik – në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni e Serbi.

The Independent nuk i ka zbuluar emrat apo detajet e tjera identifikuese për të parandaluar pasoja karshi informatorëve të nivelit të ulët apo të të tjerëve që kanë lidhje me operativët e agjencisë. Zyrtarë të SHISH, të vënë para fakteve në një takim në një kafene pranë zyrave të SHISH-it, e pranojnë natyrën sensitive të infomacionit.

“Parimisht gjithçka që bën agjencia jonë duhet të jetë e fshehtë, por na duhet edhe të ndjekim gjithë këto rregulla e rregullore”, tha një zyrtar i SHISH. “Rregullat nuk na lejojnë të shpenzojmë paratë pa i raportuar”.

Profesionistë të zbulimit dhe sigurisë mbetën të shtangur nga ky zbulim, i cili mund t’i lërë agjentët në pozicione sensitive të pambrojtur nga mbikëqyrja apo shantazhi i organizmave të inteligjencës apo kriminelët që synojnë të infiltrojnë në aleancën perëndimore.

“Duke hyrë në sistemin shqiptar ata mund të hyjnë në sistemin e NATO-s”, tha Xhemal Gjunkshi, deputet i opozitës në parlamentin shqiptar, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish Gjeneral-Major në ushtri.

“Nis të tërheqësh një fije e përfundon në Bruksel apo Londër apo në zyrën e një komandanti suprem në SHBA”.

Një ish-operativ terreni i CIA-s, familjar me SHISH, e përshkruan atë si llojin e katastrofës burokratike që të rrezikon jetën.

“Administratori mund të të dreqosë fare po nuk ishe i vëmendshëm”, tha ai për The Independent, duke preferuar anonimatin, pasi vazhdon të punojë me çështje të ndjeshme sigurie.

“Buxhetin mund ta publikosh online. Por të nxjerrës emrat dhe detajet e tjera të agjentëve, kjo është çmenduri”.

Një zëdhënës i NATO-s me bazë në Bruksel u përgjigj në një e-mail se nuk mund të komentojë për çështje të inteligjencës.

SHISH është organizmi pasardhës i Sigurimit të frikshëm, spiunazhi i famshëm i brendshëm gjatë komunizmit i cili infiltronte në çdo aspekt të jetës private të shqiptarëve gjatë 45 vjetëve të diktaturës staliniste.

Një mesazh kabllor i vitit 2007 i Departamentit të Shtetit të SHBA, publikuar nga Wikileaks, e përshkruante SHISH-in si “një shërbimi inteligjence profesional kryesisht aopolitik” që ishte “partner i shkëlqyer” i qeverisë amerikane dhe citonte “bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha aktivitetet e inteligjencës”.

Drejtori i shërbimit, Helidon Bendo, është emëruar nga kryeministri, por ai operon si njësi autonome jashtë kabinetit. Sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, shpërbimi ka 913 punonjës. Një diplomat i huaj është ankuar se SHISH operon me pak përgjegjësi dhe me gabime.

Dokumentet zbulojnë detaje shqetësues rreth operacioneve të agjencisë. The Independent nuk mundi të verifikonte nëse emrat e operativëve brenda Shqipërisë ishin të vërtetë apo fals. Por emrat e operativëve ndërkombëtarë në listë përputheshin me identitetet e stafit diplomatik shqiptar të akredituar në ambasadat nëpër Evropë.

Një operative rajonale në Durrës, emri i së cilës dhe numri i kartës së identitetit janë krejtësisht të dukshëm në rekorde, ka tërhequr shuma lekësh të barabarta me 18 mijë sterlina angleze “për pagesa speciale” në dhjetë transaksione të kryera këtë vit.  Një tjetër agjent, në Gjirokastër, ka tërhequr një çek rreth 1500 sterlina në nëntor për një “fond sekret”, siç përshkruhet në sitin e Ministrisë së Financave.

Një numër pagesash më 2017, të klasifikuara si sekret, i referohen sistemit të komunikacionit të NATO-s të referuar si Tumba, i cili mund t’u referohet disa majave të maleve në Ballkan.

Në një pikë, faturat e ujit në Himarë, ku ka shumë anëtarë të minoritetit greke, befas ulen 95%, çka sugjeron zhvendosje të përparësive të survejimit.

Informacioni i publikuar duket se është përditësuar çdo ditë. Një tërheqje lekësh baras me rreth 21 mijë sterlina nga Credins Bank në Tiranë më 3 dhjetor u postua online në fund të ditës.

Detajet përfshijnë targat e makinave të agjentëve dhe disa herë edhe markën e modelet e tyre, si dhe ku çohen për riparime, apo qëndrimet në hotele dhe faturat e restoranteve.

Dokumentet zbulojnë detaje të sikletshme rreth aktiviteteve spiunuese të brendshme të SHISH-it, përfshirë pagesat e qirasë së zyrave në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës dhe TVSH. Disa nga pagesat e bëra televizionit shtetëror përfshijnë përshkrime të tilla si “instalim pajisjesh teknike” dhe “pajisje brenda (zyrave të) televizionit shtetëror).

https://www.independent.co.uk/news/world/europe/albania-intelligence-data-posted-online-nato-defence-military-finance-security-a8672446.html

S'KA KOMENTE