Vdekja e të riut në komisariatin e Kavajës, reagon AMP: 3 policë...

Vdekja e të riut në komisariatin e Kavajës, reagon AMP: 3 policë në pranga, ja çfarë rezultoi nga hetimet

3002
SHPËRNDAJE

Njoftimi i policisë:

Kavajë – Në vijim të komunikimit për ngjarjen e ndodhur me datën 04.05.2022 në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku është gjetur i vdekur shtetasi I.M., Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar si vijon:

Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.

Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I. M. gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH.

Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht:

1. Nënkomisar P. B., me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
2. Inspektor B. B., me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
3. Inspektor R. K., me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90

S'KA KOMENTE