Tregu i sigurimeve arrin fitime te majme gjate pandemise

Tregu i sigurimeve arrin fitime te majme gjate pandemise

91
SHPËRNDAJE

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin 2020 kthimi nga kapitali i tregut të sigurimeve u rrit në nivelin 8.21%, nga 7.57% që kishte qenë një vit më parë.

Ky është gjithashtu kthimi më i lartë për tregun në tre vitet e fundit. Aktiviteti më i fitimprurës vitin e kaluar ishte ai i sigurimeve të jo-jetës, me një kthim nga kapitali në nivelin 8.62%, ndërsa kompanitë e sigurimit të jetës siguruan një kthim mesatar në masën 6.51%.

Edhe kthimi nga aktivet për tregun u rrit në nivelin 2.67%, nga 2.17% që kishte qenë një vit më parë. Për këtë tregues, janë kompanitë e sigurimit të jetës që siguruan një kthim më të lartë, në nivelin 3.27%, ndërsa për kompanitë e klasave të jo-jetës kthimi nga aktivet rezultoi 2.59%.

Tregu i sigurimeve nuk e kaloi krejt pa pasoja periudhën e pandemisë, por efektet e krizës u shprehën kryesisht në rënien e numrit të kontratave, me rreth 30%. Për sa i takon primeve të shkruara bruto, rënia ishte më e kufizuar, me më pak se 6%. Kjo diferencë erdhi sepse produktet që u prekën më shumë nga kriza, të lidhura me lëvizjet ndërkufitare të njerëzve dhe mjeteve, kanë një peshë relativisht të ulët në strukturën totale të primeve të tregut të sigurimeve. Pavarësisht tërmeteve të vitit 2019, dëmet e paguara direkt nga kompanitë e sigurimeve vitin e kaluar ishin më të ulëta, sepse këto ngjarje ishin të risiguruara. Nëse dëmet bruto në tregun e jo-jetës u rritën me 23%, dëmet neto të paguara direkt nga kompanitë shqiptare të sigurimeve pësuan rënie me rreth 8%.

Për vitin 2020, kompanitë e sigurimeve realizuan një fitim neto në vlerën 1.04 miliardë lekë ose rreth 8.6 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i tregut në total u rrit me 23%. Megjithatë, Bordi Drejtues i AMF vendosi në fund të muajit prill të këtij viti ndalimin e shpërndarjes së fitimeve të kompanive të sigurimit për vitin 2020. Sipas vendimit, shoqëritë e sigurimit duhet të pezullojnë shpërndarjen e fitimit të vitit 2020, në formën e dividendëve, të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit apo mbikëqyrës të shoqërisë apo punonjësve të tjerë.

Megjithatë, AMF i hapi rrugë shpërndarjes së fitimeve të mbartura nga periudhat e mëparshme. Fitimet e mbartura në fund të vitit 2020 kishin vlerën e 1.16 miliardë lekëve ose rreth 9.4 milionë eurove./Monitor/

S'KA KOMENTE