Zjarri i Maqedonisë kërcënon Ballkanin

Zjarri i Maqedonisë kërcënon Ballkanin

37
SHPËRNDAJE
Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Nga mediat mësuam që u dogj zyra e Presidentit të Maqedonisë, Ivanov. Djegja erdhi si pasojë e amnistisë të shpallur prej tij për politikanët më të lartë të vendit. Veprimi i Presidentit Ivanov i ka hedhur benzinë zjarrit, duke synuar që të pamundësonte funksionimin e drejtësisë për politikanë e administratorë të lartë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Presidenti Ivanov dëshmoi se është pjesë e krizës dhe jo e zgjidhjes së saj. Ivanov tregoi që është i interesuar të mbulojë skandalet e qeverisë Gruevski, prandaj, duke amnistuar politikanë e administratorë të lartë, ai amniston të keqen së bashku me përgjegjësinë e tij personale kushtetuese për dështimin e shtetit ligjor, pavarësisë së institucioneve, demokracinë dhe liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve etnike.

Prej kohësh Maqedonia është përfshirë në një krizë të thellë dhe komplekse me karakter politik, etnik, institucional, social ekonomik dhe gjeopolitik rajonal. Kohët e fundit këtyre dimensioneve i është shtuar edhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Shkaktarë kryesore e kësaj situate të rëndë është partia VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski, që prej afro një dekade qeverisin Maqedoninë pa parime demokratike, por me politika nacional-raciste dhe segregative, me metoda korruptive dhe mafioze, me veprime konspirative, me sjellje autoritare si dhe me orientime gjeopolitike të dyshimta ndërkombëtare.

Mjerisht barrën e dështimit të rëndë të Gruevskit e mbajnë edhe bashkëpunëtoret e bashkëqeverisësit e tij, BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thaçit. Këto dy parti shqiptare dhe liderët e tyre gjatë bashkëqeverisjes me Gruevskin nuk arritën asnjëherë t’i imponohen VMRO-DPMNE dhe vete Gruevskit për jetësimin e plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit, e cila është sabotuar qëllimisht nga qeveritë maqedone nga gushti 2001 e këndej.

Nëse Maqedonia është në kolapsin e krijuar nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski, faktorët politike shqiptarë atje janë futur në kaos. Kriza maqedone ka sjelle çoroditje akoma më të madhe ndër shqiptarët.

Lidershipi i vjetëruar shqiptar, por edhe liderët e rinj duket të jenë shumë konfuz. Agjendat politike të tyre nuk konvergojnë në aspektet themelore për të drejtat e komunitetit shqiptar bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Lufëtrat politike personale po bëhen shumë konfliktuale. Përçarja në nivele politike duket se po shtrihet edhe në nivele njerëzore. Pra nuk ka sinergji mendimesh dhe qëndrimesh mbarë shqiptare.

Në këtë situate shumë kritikë politika dhe diplomacia e dy shteteve shqiptare, e Shqipërisë dhe e Kosovës nevojitet që të bashkëpunojnë ngushtë me tërë lidershipin shqiptar në Maqedoni. Të synohet për orientim më të qartë të të gjithë spektrit politik shqiptarë në Maqedoni, për agjenda më të koordinuara ndërmjet tyre, për vënien në qendër të synimit strategjik të unifikuar implimentimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për konkurrencë ndërmjet tyre dhe jo konfliktualitet personal e njerëzor, për principalitet të lartë patriotik, demokratik dhe Euro-Atlantik.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë emergjente për mbështetje nga shtetet e tyre fqinjë. Shqipëria dhe Kosova kanë peshë thuajse determinuesë për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë ato kanë mbështetjen e instrumentave juridik ndërkombëtar, evropiane dhe euro-atlantike.

Shqipëria në mënyre të veçantë e ka detyrim të saj kushtetues për të mbrojtur të liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Mbrojtja e këtyre të drejtave i kontribuon stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Në rastin e krizës së thellë në Maqedoni, diplomacia shqiptare lypet te jete shume aktive e konstruktive dhe jo pasive dhe retorike.
Asesi nuk janë shqiptarët shkaktare të krizës aktuale në Maqedoni. Shqiptarët vetëm po vuajnë pasojat e saj. Maqedonia është në dilema të mëdha, të cilat i ka krijuar politika nacionaliste, raciste, antidemokratike dhe anti Perëndimore e Gruevskit dhe bashkëpunëtoreve te tij.

Tendenca e liderëve maqedonas vijon që për çdo krizë të hedh fajin mbi shqiptarët. Kjo damkosje e pabazë duhet të marrë fund. Edhe për këtë nevojitet roli aktiv dhe konstruktiv i diplomacisë së Tiranës zyrtare në bashkëpunim me Prishtinën, me faktorin politik mbarë shqiptar në Maqedoni si dhe me partneret euro-atlantik.

Kriza aktuale e Maqedonisë mund të eskaloj në nivele e përmasa shumë të rrezikshme, që do të reflektoheshin në stabilitetin e brishtë të Ballkanit Përendimor. Ndër faktorët ndërkombëtar është emergjente ndërhyrja e SHBA dhe BE për zgjidhjen e saj. Ndryshe zjarri i Maqedonisë do te djege Ballkanin.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.