“Veshjet e pista” të rrobaqepësive të BE-së

“Veshjet e pista” të rrobaqepësive të BE-së

66
SHPËRNDAJE

Buja e një investigimi për shfrytëzimin e punëtorëve të fabrikave të veshjeve në Bullgari dhe Rumani e fut gazetaren në telashe, ndërsa firmat e njohura europiane hezitojnë bashkëpunimin me rrobaqepësitë shfrytëzuese të grave të varfra.

Inditex, kompania me bazë në Spanjë që zotëron Zarën dhe marka të tjera si Massimo Dutti, tha në fund të janarit se ende po punonte me fabrikën Calafat, por se e ka vënë atë nën një “plan korrigjimi” dhe se do të kryente një “audit social” për kushtet. Punëtorët megjithatë, besuan  menaxherët e tyre kur i thanë se Zara ishte larguar tashmë dhe u frikësuan për vendet e tyre të punës.

Rreth 200 protestuan, 20 prej të cilave u thirrën të takoheshin me autoritetet vendase. Disa u ulën rreth një tavoline të madhe ovale. Të tjerë qëndruan në këmbë. Kërkesa e tyre kryesore ishte që autoritetet e qytetit të mos e merrnin parasysh artikullin. Ata u pritën nga Mircea Guta, kryebashkiaku  i Calafat dhe zevëndësi i tij Dorel Mituletu. Një gazetar vendas regjistroi të gjithë takimin dhe e shfaqi në Youtube.

Mituletu ishte shënjestra kryesore e zemërimit të tyre. Ai citohej në investigimin tim për BIRN të thoshte “të shkretat gra bien si miza [në fabrikë] veçanërisht gjatë verës”. Zv. kryebashkiaku u përpoq të vetëmbrohej duke thënë se deklarata, të cilin ai e bëri, ishte nxjerrë nga konteksti. Mituletu tha se ndershmëria e tij e kishte vënë pozicionin e tij në partinë politike në rrezik.

Në mes të skandalit, Marian Pasat, drejtori i fabrikës Calafat, ra dakord të fliste me mua pas pothuajse një viti që e ndiqja për koment. Ai konfirmoi t’i ketë thënë punëtorëve se artikulli i BIRN kishte trembur dhe larguar disa klientë. Ai gjithashtu pranoi se ndonjëherë kompania nuk i paguan rrogat në kohë. “Disa periudha janë më të vështira, ndaj rrogat vonohen, por kjo nuk do të thotë se fabrika nuk është e ligjshme, mbi të gjitha, apo joetike”.

Departamenti i Inspektoriatit të Punës e gjobiti kompaninë tre herë gjatë vitit të shkuar për shkelje, përfshirë orë të paligjshme të punës dhe mospagim të rrogave, sipas një përgjigjeje zyrtare nga departamenti.

“E vërtetë, ndonjëherë njerëzit punonin orë shtesë, por prej arsyeve objektive, pasi aktualisht na mungojnë rreth 200 persona,” u përgjigj Pasat. I pyetur përse njerëzit nuk duan të punojnë në fabrikën e tij, Pasat tha se nuk mund të ishte i sigurt por ndoshta për shkak se “Italia, Gjermania, Spanja dhe Anglia” joshnin rumunët në pjesë më të pasura të BE-së. Në dhjetor 2015, kishte 327 të papunë në qytet, sipas shifrave zyrtare.

Marian Pasat refuzoi idenë se markat mund të jenë tërhequr prej problemeve në fabrikë. Arsyeja e vetme ishte artikulli im, tha ai.

Abuzimet datojnë përpara se të publikohej historia ime, por fabrikës nuk i mungonin klientët. Tani që praktikat u bënë publike, fabrikat u përballën me një tërheqje të mundshme të klientëve që shqetësohen rreth imazhit të tyre te klientët.

Prej kohësh dihet se punëtorët në vende si Bangladeshi, Kina ose Vietnami përballen me shfrytëzim në prodhimin e produkteve për blerësit perëndimorë. Por vula “Prodhuar në BE” besohet të jetë një garanci e tregtisë së ndershme. Jo edhe aq. Në shumë raste, thjesht maskon shfrytëzimin në vendet më të varfra dhe anëtaret e reja të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria.

Në konkurrim me Azinë në tregun e lirë të punës, fabrikat në Rumani dhe Bullgari janë nën presion të madh për t’i mbajtur çmimet dhe rrogat të ulëta ose përballen me humbje të klientëve. Ka mbi 10,000 fabrika veshjesh në dy shtetet të marra së bashku, ndaj konkurrenca është e lartë.

Sipas një studimi të kryer në Tajlandë, kostoja e rritjes së pagës mujore të një punonjësi nga 90.53 euro do ta rriste koston e prodhimit të një veshje me vetëm 0.29 euro. Por ndërsa shumica e blerësve do të ishin të gatshëm të paguanin shtesën, atyre rrallë u jepet kjo mundësi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.