Tirana dhe Prishtina pasive përballë krizës së Maqedonisë

Tirana dhe Prishtina pasive përballë krizës së Maqedonisë

60
SHPËRNDAJE

Prof. Dr. Lisen Bashkurti për Sovrani.info

Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Pasiguria po rritet dita më ditë.
Paqartesitë për të ardhmën e këtij vendi Ballkanik sa vijnë e shtohen. Dilemat janë komplekse. Janë politike, etnike dhe gjeopolitike. Të gjithë aktorët e brendshëm duken kaotik. Ndërkohe aktorët aktiv ndërkombetar, BE, ShBA, NATO e Rusia vijojnë të kryqëzojnë shigjetat mbi mjedisin e paqëndrueshëm të
Maqedonisë.

Prej kohësh Maqedonia është përfshirë në një krizë të thellë dhe komplekse me karakter politik, etnik, institucional, social ekonomik dhe gjeopolitik rajonal. Vitin e fundit krizën e shpërtheu publikisht skandali i përgjimeve nga segmente të larta të Qeverisë. Ndërsa muajve të fundit këtyre dimensioneve të krizës i është shtuar edhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme me gjithë pasojat e saj.

Shkaktare kryesore e kësaj situate të rëndë ëshëe partia VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski, që prej afro një dekade qeverisin Maqedoninë pa parime demokratike, por me politika nacional-raciste dhe segregative, me metoda korruptive dhe mafioze, me veprime konspirative, me sjellje autoritariste si dhe me orientime gjeopolitike të dyshimta ndërkombëtare.

Mjerisht barrën e dështimit të rëndë të Gruevskit e mbajnë edhe bashkëpunëtoët e bashkë-qeverisësit e tij, BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thacit. Këto dy parti shqiptare dhe liderët e tyre gjatë bashkë-qeverisjes me Gruevskin nuk arritën asnjëherë t’i imponohen VMRO-DPMNE dhe vetë Gruevskit për jetësimin e plotë të Marrëveshjes në Kuadër të Ohrit, e cila është sabotuar qëllimisht nga qeveritë maqedone nga gushti 2001 e këndej.

Nëse Maqedonia është në kolapsin e krijuar nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski, faktorët politik shqiptare atje janë futur në kaos të thellë. Duket që kriza maqedone ka sjellë coroditje akoma më të madhe ndër shqiptarët dhe institucionet e tyre politike përfaqësuese.

Lidershipi i vjetëruar shqiptar, por edhe liderët e rinjë duket të jenë shumë konfuz. Agjendat politike të tyre nuk konvergojnë në aspektet themelore për të drejtat e komunitetit shqiptar bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Luftrat politike personale po bëhen shumë konfliktuale. Përçarja në nivele politike duket se po shtrihet edhe në nivele njerëzore. Pra nuk ka sinergji mendimesh dhe qëndrimesh mbarë shqiptare.

Në këtë situatë shumë kritike politika dhe diplomacia e dy shteteve shqiptare, e Shqiperisë dhe e Kosovës nuk po tregojnë vëmendjen e duhur lidhur ndaj lidershipit shqiptar në Maqedoni.

Që të menjanohet kaosi politik ndërshqiptar në Maqedoni lypet të synohen orientime më të qarta dhe të konverguara të të gjithe spektrit politik shqiptar në atë vend. Është e domosdoshme që të ketë agjenda me të koordinuara ndërmjet aktorëve politik shqiptar. Në qendër të konvergimit të agjendave duhet të jetë synimi strategjik i unifikuar për implimentimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja Kuadër e Ohrit nuk ka alternative politike. Ajo përbën një marrëveshje ku aktorë kombëtarë dhe ndërkombetarë në gusht të vitit 2001 shmangen konfliktin ndëretnik, inicuan reformën kushtetuese dhe hodhën bazat juridike dhe institucionale për një shtet demokratik e multietnik ku të garantoheshin liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve etnike.

Marrëveshja Kuadër e Ohrit është sabotuar sistematikisht nga VMRO-DPMNE gjatë viteve të qeverisjes së saj. Ligjet themelore për përfaqësimin respektiv të shqiptarëve në gjitha institucionet janë zbatuar pjesërisht dhe në mënyrë selektive. Ligji për gjuhën shqipe as që është konsideruar në nivel shtetëtor. Ligji e masat për trajtimin ish-luftëtarëve dhe invalidëve të UCK=së janë injoruar tërësisht. Ligji për përdorimin e simboleve të identitetit shqiptar është akoma selektiv e diskriminues. Shanset për zhvillim ekonomik e social midis shqiptarëve dhe maqedonëve vijojnë të jenë mjaft diskriminuese.

Nivelin më të lartë të diferencimit ndëretnik të zhvillimit urban, infrastrukturor e kulturor e nxorri në dukje projekti “Shkupi 2014”. Ky projekt që konsumoi mbi në miliard euro u udhëhoq nga filozofia nacionaliste-segregative Maqedone “Back to the Future”, pra të projektohet e ardhmja mbi mite të falsifikuara të së kaluares.

Ndërkohë që ky projekt fals butaforik shpenzonte miliona euro në pjesën Lindore të Shkupit, në pjesën Perendimore të tij qytetarët shqiptare përjetojnë një jetë si në geto pa rrymë, pa ujë, pa infrastrukturen minimale. Akoma më e rëndë është situata e lagjeve, objekteve dhe siteve historike dhe arkeologjike të tyre.

Ndërkohë që Qeveria Maqedone shpenzon miliona euro për të ngritur realitete historike false, gjithcka nga e kaluara reale e shqiptarëve po zhytet në baltat e harresës dhe të rrënimit. Shumë tragjike: gënjeshtrat maqedone marrin jetë; të vërtetat e shqiptarëve po vdesin.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevoë emergjente për mbështetje nga shtetet e tyre fqinje. Shqipëria dhe Kosova kanë peshë thuajse determinuese për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë ato kanë mbështetjen e instrumentave juridik ndërkombëtar, evropiane dhe euro-atlantik. Pasiviteti i këtyre dy shteteve përballë krizës Maqedone dhe rrënimit të shqiptarëve atje është i paarsyetuar.

Shqipëria në mënyre të vecantë e ka detyrim të saj kushtetues për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Mbrojtja e këtyre të drejtave i kontribuon stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë dhë të gjithë Ballkanit Perëndimor. Në rastin e krizës së thellë në Maqedoni, diplomacia shqiptare lypet të jetë shumë aktive e konstruktive dhe jo pasive e retorike.
Ndërkombëtarisht njihet që asesi nuk janë shqiptarët shkaktarë të krizës aktuale në Maqedoni. Shqiptarët vetëm po vuajnë pasojat e saj. Maqedonia është në dilema të mëdha, të cilat i ka krijuar politika nacionaliste, raciste, antidemokratike dhe anti Perendimore e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Tendenca e liderëve maqedonas vijon që për çdo krizë të hedh fajin mbi shqiptarët. Kjo damkosje e pabazë duhet të marrë fund. Edhe për këtë nevojitet roli aktiv dhe konstruktiv i diplomacisë së Tiranës zyrtare në bashkëpunim me Prishtinën, me faktorin politik mbarë shqiptar në Maqedoni si dhe me partnerët Euro-Atlantik.

Kriza aktuale e Maqedonisë mund të eskalojë në nivele e përmasa shumë të rrezikshme, që do të reflektoheshin në stabilitetin e brishtë të Ballkanit Perendimor. Këtij eskalimi duket se po i ndihmojnë bllokimi Grek per emrin si dhe ofensiva e Rusisë për interesa gjeopolitike.

Dihet tanimë se Maqedonia ka ngjallur oreksin e Rusisë, ndërkohe që Rusia po ringjall nostalgji të dukshme te aktoret e liderët kryesore të Maqedonisë. Në këtë stuhi krize Maqedonia po lëkundet gjeopolitikisht midis Perendimit dhe Rusisë.

Në këtë luhatje euro-ruse të Maqedonisë vetëm faktori njerëzor dhe politik shqiptar ka qenë dhe mbetet solid dhe konsistent pro Euro-Atlantik. Por, mjerisht faktori njerëzor dhe politik shqiptar në Maqedoni vijon të jetë i dobët, i përqare, konfuz dhe me lidership të paaftë dhe moralisht të kompromentuar.

Kriza në Maqedoni mund të fashitet me zgjedhjet e parakohëshme. Por vetëm nëse këto zgjedhje do të
jenë të lira dhe të ndershme. Për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme nevojitet nje prezence e lartë dhe energjike ndërkombetare. Ndër faktorët ndërkombetar më me ndikim janë BE dhe ShBA.

Prandaj lypet në mënyrë emergjente prania më e madhe dhe ndërhyrja me energjike e ShBA dhe BE për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe për nxjerrjen e Maqedonisë nga spiralja e krizës ku është futur prej afro një dekade.

Maqedonia vijon të jetë në udhëkryq. Si do vejë e ardhmja e saj?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.