Emergjencat Civile: Situata nga permbytjet vijon të rëndohet në këto zona

Emergjencat Civile: Situata nga permbytjet vijon të rëndohet në këto zona

177
SHPËRNDAJE

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrisë ka dhënë informacion për situatën në vend deri në orën 23:00.
Gjatë pasdites dhe gjatë orëve të mbrëmjes kanë vazhduar operacionet intensive në të gjithë vendin për të përballuar situatën e përmbytjeve. Situata vazhdon të rëndohet në qarqet e jugut të vendit si në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Fier dhe Berat.
Forcat në terren po vijojnë evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara. Në raste të veçanta është kërkuar edhe përdorimi i shtrëngimit për të bindur qytetarë të caktuar që ende nuk arrijnë të kuptojnë shkallën e rrezikut. Evakuim është kryer dhe vijon të kryhet në Berat, Fier dhe Vlorë.
Kanë vazhduar edhe operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat në disa raste, siç ishte ai i para pak minutave në Sarandë, kanë qenë shumë fatlume. Në rastin e Sarandës u gjetën, në errësirë në majë të një peme dhe në një siutatë shumë të rrezikshme dy barinj që kishin humbur lidhjet.
Gjendja më e vështirë vijon të mbetet prurja ekstreme e lumenjve Vjosë, Osum, Seman dhe Shkumbin. Vjosa ka dalë nga shtrati në afërsi të urës së Mifolit, Selenicës dhe në Memaliaj. Probleme paarqet edhe gjendja e lumenjve të tjerë. Ekziston rreziku qe edhe Devolli të dalë nga shtrati duke krijuar probleme për fushën e Maliqit.
Rrugët 
Rrugët janë mbajtur të lira. Përjashtim bën aksi Tepelenë Kakavijë, ku në Urën e Viroit është bllokuar kalimi. Aty po punohet për zhbllokimi e rrugës dhe për sistemin e udhëtarëve që nuk mund të vijonë aktualisht udhëtimin. Edhe në akse të tjera po punohet për eleminimin e rrëshqitjeve të dherave.
Energjia elektrike dhe uji
Pas ndërhyrjeve të OSHEE, numri i abonentëve pa energji është ulur në rreth 20 mijë nga mbi 100 mijë që ishte në mesditë.
Përkeqësim ka njohur gjendja e ujëmbledhsit të Bovillës për shkak të turbullimit të ujit. Masat për zgjidhjen e kësaj situate do të shoqëerohen me kufizime të furnizmit me ujë të Tiranës në ditët në vijim.Po ashtu, me probleme është stacioni që furnizon me ujë të pijshëm Fushë Krujën, Maminasin, Shijakun dhe pjesërisht Prezën.
Këshillat
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjestarët e strukturave shtetërore e private që janë të angazhuar pa ndërprerje në operacionet në terren gjatë natës për përballimin e situatës.
Komiteti u bën thirrje qytetarëve që të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet mjeti i parë për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.
Situata, sipas parashikimeve profesionale, do të vijojë të rëndohet dhe për këtë arsye kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falenderon subjektet private dhe organizatat jo qeveritare që janë angazhuar në përkujdesjen ndaj personave të evakuuar apo në dhënien e ndihmave materiale dhe ushqimore për të prekurit nga gjendja.
Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.
Thirrje e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:
• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj..
• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.
• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet.
Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.
• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.
• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.
• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.
• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.
• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.
• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.
• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive;
• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj..,
• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve;
• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë;
• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.
• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.