Shqiptaret humbasin 40mln € nga zhvleresimi i monedhes se perbashket

Shqiptaret humbasin 40mln € nga zhvleresimi i monedhes se perbashket

31
SHPËRNDAJE

Kursimet në monedhën e përbashkët, që shqiptarët kanë vendosur në banka ishin 3.6 miliardë euro në fund të muajit prill, apo gati 50% të totalit të depozitave në vend, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë. 

Por, të konvertuara në lekë, këto kursime sot vlejnë të paktën 3.4% më pak, si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros në tregun vendas gjatë vitit të fundit. Sot një euro këmbehet me rreth 134 lekë, ndërsa një vit më parë këmbehej në kuotën e 138.5 lekëve. Vetëm nga ky zhvlerësim, humbja e depozituesve nëse depozitat do konvertoheshin në lekë, llogaritet në 5.3 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro.

 

Vitet e fundit depozitat në valutë janë rritur me shpejtësi, teksa depozitat në lekë ranë, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare që uli normat e interesit të kursimeve në lekë në nivele minimale rekord (për depozitat një vjeçare kthimi është më pak se 1%). Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në rreth 52% të totalit në fund të prillit 2017. Euro është monedhë e preferuar kursimi, edhe pse interesat e saj janë tepër të ulëta.

 

Bankierët pohojnë se kursimtarët shqiptarë kanë mungesë besimi te monedha vendase dhe kjo i nxit të mbajnë kursime në lekë. “Personalisht nuk e ndaj këtë përqasje, pasi gjithnjë duhet të kemi parasysh që, nëse nuk i mbani kursimet në monedhën vendase, shumë shpejt do të ekspozoheni nga rreziku i kursit të këmbimit; shqiptarët duhet të kuptojnë që 2-3 vitet e fundit, leku është vlerësuar në mënyrë konstante kundrejt euros dhe dollarit, duke nënkuptuar se shqiptarët që i mbajnë kursimet e tyre në euro, kanë humbur tashmë para”, ka pohuar më herët për Monitor Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo.

 

“Pavarësisht nga normat më të larta të ofruara për lekun, ne përballemi me vështirësi, kur përpiqemi të ndajmë me konsumatorët mundësinë për të mbajtur kursimet e tyre në monedhën vendase, edhe kur u tregojmë atyre vlerësimin e qëndrueshëm të lekut kundrejt euros. Mendoj se këto reagime janë “psikologjike”, dhe ndoshta kanë të bëjnë me disa përvoja të këqija nga e kaluara; në këto raste mund të jetë mjaft e vështirë për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve dhe ka nevojë për një program koherent të edukimit financiar. Shoqata Shqiptare e Bankave, që prej shumë vitesh, është veçanërisht aktive në këtë fushë, por duhet një kohë e gjatë për të arritur rezultatet e pritura”, shton z. Pedrazzi.
Shqipëria vlerësohet se ka një nivel të lartë euroizimi, çka ka nxitur Bankën e Shqipërisë që pak muaj më parë të deklarojë një plan për të ulur nivelin e përdorimit të euros në vend, duke marrë masa që do të dekurajonin përdorimin e monedhës së përbashkët si mjet blerjeje, apo kursimi. Kjo rendje drejt euros në fakt nuk është vetëm një sjellje shqiptare. Një studim i bankierëve zviceranë dhe austriakë, Martin Brown dhe Helmut Stix, titulluar “Euroizimi i depozitave të bankave në Europën Lindore”, thotë se preferencat e ekonomive familjare për depozitat në euro janë pjesërisht të nxitura nga mosbesimi i tyre në stabilitetin e monedhës së tyre të brendshme, gjë që lidhet me vlerësimin e tyre të politikave dhe institucioneve aktuale. Ata konfirmojnë se mbajtja e depozitave në valutë të huaj është bërë një “zakon” në rajon.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.