Amnisti 61 mlrd leke per bizneset, si te perfitoni.

Amnisti 61 mlrd leke per bizneset, si te perfitoni.

32
SHPËRNDAJE

Vlera e detyrimeve tatimore dhe doganore që do t’u fshihet bizneseve arrin në rreth 61 miliardë lekë. Ministria e Financave evidenton faktin se janë dy kategori borxhesh që fshihen. Kategoria e parë është borxhi që fshihet pa kushte, çka nënkupton fshirjen e gjobës pa asnjë detyrim për t’u paguar. Në total, borxhet që fshihen tërësisht pa asnjë detyrim përllogariten në vlerën 29.52 miliardë lekë, nga të cilat në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve 28.36 miliardë lekë, ndërsa në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave 1.16 miliardë lekë.

Këto janë borxhe që praktikisht shteti nuk mund t’i mbledhë, pra edhe pa miratimin e këtij ligji ishin të falura. Kategoria e dytë që parashikohet është ajo e fshirjes së borxhit për detyrimet me kusht pagesën e principalit të borxhit. Në këtë rast falen gjobat e kamatëvonesat me kushtin e shlyerjes së detyrimit fillestar.
Nga kjo kategori falen 61.45 miliardë lekë, nga të cilat në Tatime 53.20 miliardë lekë dhe në dogana 8.265 miliardë lekë. Ky proces parashikohet t’i sjellë arkës së shtetit 34.96 miliardë lekë, që përbën vlerën e principalit, pra borxhit fillestar që duhet paguar për të përfituar faljen e gjobave apo të kamatëvonesave për këtë borxh. Ndërsa, për automjetet është parashikuar heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete.
Relacioni

Në relacionin e projektligjit që është dorëzuar për shqyrtim në Kuvend parashikohet që të fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatëvonesën dhe gjobën, për periudhat përpara dhjetorit 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj.
Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu, për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat 2010 e më parë dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve 2011 e në vijim.
Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë. Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatoreve të sektorit elektro-energjetik me kapital 100% shtetëror, sektorit të ujësjellës-kanalizime si dhe nga ndërhyrjet e administratës tatimore nëpërmjet vlerësimeve në vitet e kaluara, projektligji ka parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që i përkasin periudhës janar 2011-dhjetor 2013.
Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/taksës/tarifës/kontributit. Shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara të regjistruara ose jo, apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja, ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast, aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014.
(GazetaShqiptare)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.