60 milione euro taksa te papaguara nga ARMO

60 milione euro taksa te papaguara nga ARMO

35
SHPËRNDAJE

Prej dy javësh ARMO, rafineria e përpunimit të naftës në vend, ka mbyllur dyert për të disatën herë, duke lënë miliona euro detyrime të papaguara ndaj shtetit, një skemë e njohur kjo, që po përsëritet që prej vitit 2009, kur ARMO u privatizua.

Sipas të dhënave të siguruara nga ‘Monitor’, për 11 muajt e këtij viti, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë, me një rritje të ndjeshme në krahasim me sasinë prej 11 mijë tonësh të përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e prodhimit, ka bërë që ARMO të zërë 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor. Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare (shiko tabelën me poshte).

Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore. Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhen paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër.

Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën. Nafta e ARMO-s, ndërkohë është shitur në treg me çmim pakice të paktën 160 lekë për litër, në nivele vetëm 5-7 lekë për litër më të ulëta se nafta e importit.

Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Kompania Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të kaluar filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Kjo u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet.

Por, pas një viti jemi kthyer sërish në pikën e fillimit. ARMO shfrytëzohet përmes qiramarrësve, nafta shitet me çmim tregu, taksat nuk paguhen, qiraxhinjtë zhduken, në pritje të një tjetri që do të përdorë të njëjtën skemë. Tatimet e doganat bllokojnë llogaritë e vënë sekuestro mbi kompanitë, por nuk arrijnë të marrin gjë. Borxhi fiskal sa vjen e rritet.

Tatimet publikuan së fundmi listën e kompanive debitore, ku rezultonte se ARMO dhe kompanitë që e kanë administruar atë kanë krijuar në vite rreth 33 miliardë lekë (rreth 240 milionë euro) detyrime tatimore, të cilat me procesin e fshirjes zbritën në 13.2 miliardë lekë në fund të shtatorit 2017.

Historia e ARMO

Në vitin 2008 ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar dhe pronari i saj Rezart Taçi është në ndjekje penale për evazion fiskal.

Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.

15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend./ Monitor.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.