Çmimi i naftës bruto, këtë vit për herë të parë në 50...

Çmimi i naftës bruto, këtë vit për herë të parë në 50 dollarë

48
SHPËRNDAJE

Çmimi i naftës së papërpunuar, tip Brent, për herë të parë gjatë këtij viti dhe 7 muajve të fundit ka arritur nivelin e 50 dollarëve, kjo për shkak të furnizimit të parregullt dhe rritjes së kërkesës globale.

Mëngjesin e sotëm, çmimi i naftës bruto, tip Brent, arriti në 50,22 dollarë për fuçi duke shënuar nivelin më të lartë që prej 4 nëntorit 2015, ndërkohë që shitja rregullt ka vijuar për 50,1 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimeve erdhi pas të dhënave të këtij mëngjesi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilave rezervat e naftës kanë rënë, kryesisht për shkak të ndërprerjes së furnizimit të shkaktuar nga zjarret në Kanada.

Ditën e mërkurë, nafta e tipit Brent filloi të shitej mbi 49 dollarë për fuçi, ndërkohë që në mbyllje të bursës çmimi kishte arritur në 49,86 dollarë, një rritje kjo që pasoi njoftimin e Administratës së Informacionit për Energjinë (EIA) në SHBA, ku thuhej se stoqet amerikane të naftës kishin regjistruar një rënie mbi parashikimet.

“Rezervat amerikane të naftës së papërpunuar janë ulur me 4,2 milionë fuçi duke arritur në 537,1 milionë fuçi në javën para 20 majit”, theksoi EIA-ja.

Analistët tërheqin vëmendjen se rritja e çmimit të naftës bruto, tip Brent, vijon si rezultat i klimës pozitive të dy ditëve të fundit në tregjet globale dhe i trendit të rënies në indeksin e dollarit amerikan.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.