Të tjera detaje dalin në dritë ne lidhje me vrasjen ne Athine

Të tjera detaje dalin në dritë ne lidhje me vrasjen ne Athine

3355
SHPËRNDAJE

GREQI – Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç u ekzekutuan mbrëmjen e djeshme në Athinë. Çerçizaj mori dy plumba në kokë dhe vdiq në vend, ndërsa Armando Organja, 44 vjeç, mori dy plumba një në gjoks dhe një në bark. Edhe pse atij iu dha ndihmë nuk mundi të mbijetojë.

Klientët të cilët ndodheshin në tavolinat ngjitur vrapuan pas të shtënave. Gjatë ngjarjes, vajza 31-vjeçare e cila ishte ulur në një tavolinë aty pranë mbeti e plagosur në bark. Në zonë janë gjendur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa mësohet se viktimat kanë pasur precedentë të mëparshëm penal.

Duket se dy burrat me origjinë shqiptare, kanë pasur llogari të hapura me “qarqet” e natës. Oficerët e Policisë së Sigurisë, kanë dal në këtë përfundim duke pasur si “guidë” kryesore videon e momentit të ekzekutimit, materialin primar që kanë mbledhur nga kamerat e dyqaneve të zonës përreth, si dhe dëshmitë e para të dëshmitarëve okularë.

Hetimet e tyre kthehen te “mafia shqiptare”, pasi profili i vrasësit, lëvizjet e shpejta dhe gjakftohtësia e tij, zbulojnë se bëhet fjalë për një përdorues me përvojë të pistoletës, i cili mund të ketë vrarë edhe më parë. Të gjitha faktet të çojnë tek vrasësit me pagesë.

Autoritetet vlerësojnë se objektivi kryesor ka qenë 41-vjeçari i vrarë në vend, i cili ishte i përfshirë në grupin e mafias. Ndërsa për 44-vjeçarin, rezulton se ai nuk është. Megjithatë është ende e pa qartë nëse ai është i përfshirë në të njëjtin ring, apo është një humbje kolaterale, për faktin se ai ishte ulur në të njëjtën tavolinë.

Megjithatë, burime të sigurta nga Policia thonë se të dy të vdekurit janë të njohur të vjetër të policisë, pra bëhet e qartë se bëhet fjalë për një shlyerje llogarish.

Koha e ekzekutimit

Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur pak pas orës 21:30, tek bar-kafeja Pop-Up, në pedonalen e sheshit në rrugën 25 Martiou 13. Vihet re se shumë pranë vendit ka edhe një kënd lojrash. Një burrë i veshur me të zeza, i veshur me një maskë kirurgjikale, u shfaq jashtë dyqanit, iu afrua tavolinës ku ishin ulur dy viktimat dhe papritmas nxori një pistoletë dhe filloi të qëllonte mbi ta. Ai u largua menjëherë pas.

Imazhi që ka krijuar policia është se vrasësi me kapuç, përpara se të hapte zjarr në tavolinën jashtë kafenesë, ku ishin ulur dy të vrarët, kishte ecur në sheshin e Nea Smyrni duke “skanuar” zonën, ndërsa më parë kishte vepruar në shpejtësi, që ai ishte fshehur pas një shkurre, nga ku papritur u hodh jashtë dhe brenda pak sekondash qëlloi gjashtë plumba në drejtim të dy viktimave.

Autori rezulton të jetë një vrasës profesionist, pasi mënyra se si e ka kryer ekzekutimin ka qenë absolutisht e saktë dhe e synuar. Siç shihet edhe në video, vrasësi ka veshur një kominoshe të zezë, me xhup me kapuç dhe çizme sportive. Kur afrohet, është i ftohtë, nuk i intereson bota përreth, nxjerr pistoletën nga xhepi i xhaketës, me dorën e djathtë dhe qëllon.

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me një nga shqiptarët e vrarë në Greqi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në një lokal në Nea Smyrni, në Athinë. Mësohet se Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç nga Vlora, rezulton i dënuar me 7 vite për trafik klandestinësh. 

Çerçizaj rezulton i përfshirë në tragjedinë e 21 gushtit të vitit 2002, ku humbën jetën dy shtetas. Skafi me 32 klandestinë në bord udhëtonte drejt Italisë, por në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes së Guardia di Financës ka ndodhur një përplasje dhe për pasojë dy prej klandestinëve humbën jetën. Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin me 18 vjet burg për dy pronarët e skafit qe u përplas me mjetin e Guardia di Financa. 

Kreshnik Çercizaj bashkë me Dorian Serjanin, u akuzuan për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen e shtetasve Ilirian Idrizi, ish-drejtori i shkollës së Babicës dhe Zybajde Bracaj nga Mallakastra. Por gjykata vendosi që të dënojë me 7 vite burg Çerçizajn.

Kujtojmë se në atentatin e djeshme mbeti i vrarë dhe Armando Ogranja, 44 vjeç, nga Berati.

S'KA KOMENTE