SPAK-Ish-ministrit Arben Ahmetaj i komunikohen akuzat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur komunikimin e akuzave ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Mbi ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave rëndojnë veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e pasurisë.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar me tri akuza për çështjen e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit në korrik të vitit të kaluar, ish-zv.kryeministri vijon të jetë në arrati

në SPAK gjendet edhe avokati i Albina Maçkës, ish-bashkëshortja e Ahmetajt.

Kujtojmë se Arben Ahmetaj si ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, mbas këqyrjeve në një kompjuter që i përkiste Klodian Zotos, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.

Për hetimet SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve për që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon blackberry i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.

Sipas dosjes hetimore që SPAK I nisi Kuvendit në korrikun e vitit të kaluar, shumat e konsiderueshme të parave që janë paguar në mënyrë të tërthortë nga biznesmenët e inceneratorëve dyshohet të jenë perfituar nga Ahmetaj

170 mijë euro, është episodi i parë i regjistruar në vitet 2016-2017. Ajo është paraqitur si pagesë ndaj shtetasve A. M. dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një shitjeje fiktive ndaj një personi tjetër të dy apartamenteve 124 dhe 148 metër katrorë në Selitë. Shumat u paguan nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

“Shumën prej  170,480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në 2 apartamente ne sip.124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Një vilë me sipërfaqe 98 m2 në Hamallaj dhe 521 m2 sipërfaqe truall është episodi i dytë që ka hetuar SPAK, sipas të cilës është përfituar nga ish-numri dy i qeverisë prej Klodian Zotos e Mirel Mërtirit tërthorazi. Skema e përdorur është përmes transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Klodian Zotos dhe në vijim në emër të G. K., e më pas në pronësi të bashkëjetueses së ish-zv/kryeministrit, Eriola Hoxha.

“Pasurinë truall+ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqa 26 ZK 1925 me sip tualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë në nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”.

Rasti i tretë ka të bëjë me një shumë prej 130 mijë euro, e cila në vitin 2017 dhe 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit është paraqitur si pagesë e bërë për llogari të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, Albina Maçka dhe ish-zv/kryeministrit përkundrejt një shitjeje ndaj shtetasit B. P. të një apartamenti me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazhi në Selitë. Kjo vlerë është paguar gjithashtu nga Zoto-Mërtiri dhe shoqëria “Integratet Technology Servises”, përmes shtetasit B. P.

“Shumën prej 130,000 euro në 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’  ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sip, 178.68m2 dhe një garazhi me sip 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e  ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Dhe subjekti tregtar ITC sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti”.

Rasti tjetër ka të bëjë me 140.000 euro në vitin 2018, me një pallat në zonën e Selitës. Vlera monetare u paraqit si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sip 178.68 m2 dhe një garazhi me sip 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292 në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k vlerë e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p,k.

34.422 euro të tjera janë përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesave të hoteleve e udhëtimeve përgjatë periudhës 2013-2017. Këto pagesa janë kryer për Ahmetajn dhe të afërm të tij.

Episodi tjetër është një apartament 167 metër katrorë në rrugën Reshit Çollaku në pronësi të ish-ministrit. Në formën e pagesave të kryera ndaj subjekteve tregtarë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shoqërisë “Integrated Technology Services”, dyshohet se Ahmetaj ka përfituar mbi dy milionë lekë gjatë vitit 2019 dhe 2020.

Kushtetuesja rrezon kerkesen për Fredi Belerin kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës

Kushtetuesja vendim për Fredi Belerin kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, rrëzohet kërkesa e tij

Në datën 28.09.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, i cili ka kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë; nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin vendosur ndaj kërkuesit masën e sigurimit personal “Arresti në burg” në pritje të gjykimit të tij për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës “Arresti në burg”. Për këtë arsye, ai ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, për rrjedhojë në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar. Sipas kërkuesit, masa e sigurimit personal e vendosur nga gjykatat nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, interesin publik që kërkohet të mbrohet dhe gjendjen që e ka shkaktuar, pasi vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet. Ai ka pretenduar edhe cenimin e parimin të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë që ndodhen në të njëjtën gjendje, duke iu referuar rastit të një shtetasi tjetër, i akuzuar për kryerjen e të njëjtës vepër penale. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak se gjykatat kanë rënduar pozitën e tij si i pandehur duke shtuar argumentet e prokurorisë dhe përforcuar arsyetimin për masën e sigurimit “Arresti në burg” në gjykimin në apel.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13.10.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, në datën 23.10.2023, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

Gjykata, e mbledhur sot, në datën 21.03.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për këto arsye:

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.

· Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri”-njofton Gjykata.

Lirohet partnerja e Laert Haxhiut, autori i masakrës së Lushnjës

1684844355 Laerthaxhiu

Lirohet partnerja e Laert Haxhiut, autori i masakrës së Lushnjës. Gjykata e Posaçme vendosi ndalim dalje jashtë vendit për Klea Gjatën.

Gjata u arrestua pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ka statusin e të penduarit. E reja ndodhet nën hetim për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit.

Laert Haxhiu është duke u gjykuar ne mungese për atë qe njihet si Masakra e Lushnjës e ndodhur në shtator te 2017. Ne atë ngjarje humben jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.B/W

Sherri mes dy adoleshentëve ka përfunduar në pengmarrje!

Një sherr mes dy adoleshentëve ka përfunduar në pengmarrje! Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tiranë ku një 50-vjeçar bashkë me një tjetër kanë marrë peng për disa orë një 14-vjeçar.

Pasi 50-vjeçari Çlirim Sina është vënë në dijeni për sherrin e djalit të tij me 14-vjeçarin, bashkë me një 39-vjeçar, Aleksandër Sinën, kanë marrë me forcë të miturin dhe e kanë mbyllur në makinë.

Uniformat blu kanë reaguar duke bërë të mudnur lirimin e të miturit, ndërsa 50-vjeçari dhe Aleksandër Sina janë vënë në pranga.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kapet me 1 kg kokainë në Greqi shqiptari i rrezikshëm (Emri)

Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar me precedentë të shumtë penalë dhe të arratisur nga një burg në Francë.

Ai është kapur bashkë me një shtetas grek duke transportuar mbi 1 kg kokainë.
Ngjarja ka ndodhur në Thermi të Selanikut rreth orës 11.30 të ditës në djeshme, kur policia ka ndaluar për kontroll automjetin më targa EHA-3962. Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit deklaroi të dhëna të rreme identiteti dhe u tregoi punonjësve të policisë dokumente të falsifikuara dukshëm, pra një pasaportë greke me identitetin Dionysios Vlahos, lindur më 7.7.1983 dhe leje drejtimi greke me të njëjtin informacion si më sipër. Më pas, gjatë kontrollit të kryer në brendësi të mjetit, u gjet ndër të tjera 1 qese me lëndë narkotike kokainë në formën e një “guri” me peshë 1 kg 62.2 gramë.

Përveç dokumenteve të falsifikuara, drejtuesit të mjetit i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 2 telefona celularë, ndërsa pasagjerit të identifikuar si Agelos Paprikidis, 51 vjeç, i është gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 3784 euro.
Gjatë kontrollit të banesës së drejtuesit të mjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 3 peshore precize, një shumë prej 5640 euro dhe një sërë dokumentesh dukshëm të falsifikuara, ndërsa në shtëpinë e Paprikidis, u sekuestruan 5 gram lëndë kokainë dhe 24.400 euro.
Nga verifikimet e kryera nga policia, ka rezultuar se identiteti i vërtetë i drejtuesit të mjetit është Altin Ibrahimi, shtetas shqiptar, 41 vjeç, banues në Panoramatos, Ilia Pileidi 11 në Greqi.
Nga verfikimet rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër-arresti i Prokurorisë së Athinës për krimet e organizatës kriminale, falsifikim, dëshmi e rreme. Ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për organizatë kriminale, falsifikim, dëshmi e rreme, zhvatje, grabitje, vjedhje të rëndë, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në mars 2016 është arrestuar në Francë së bashku me Agelos Paprikidis për trafik droge dhe në muajin maj të të njëjtit vit, ai është arratisur nga burgu francez.

Murtaja dhe gripi i shpendëve! Shqipëria ndalon importin e mishit nga 6 vende 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, mishit të derrit, nënprodukteve të tij apo të shpendëve dhe nënprodukte të tyre nga 6 vende të ndryshme, pas shpërthimit të murtajës dhe gripit në këto shtete.

Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare pas shfaqjes së murtajës afrikane të derrave në Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, produkteve të tyre, materialit biologjik dhe embrioneve të derrave, si dhe e mishit të freskët dhe nënprodukteve të tij. Vendimi shoqërohet edhe me tabelën sipas zonave të infektuara të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, nga të cilat ndalohet importi. Gjithashtu, vendimi përfshin kushtet që duhet të plotësojnë këto produktet që nuk iu përkasin këtyre zonave për t’u lejuar të futen në territorin shqiptar e që duhet të jenë të pasqyruara në certifikatën veterinare.

Paralelisht, janë marrë masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve, të shfaqur në Bullgari, Norvegji, Itali dhe Moldavi. Në këtë kuadër, sipas urdhrave të nxjerrë nga ministria do të ndalohet importi dhe tranzitimi në Shqipëri i shpendëve të gjallë shtëpiakë; zogjve 24-orësh; shpendëve dekorativë; materialit biologjik të shpendëve apo vezëve të tyre. Gjithashtu, ndalohet importi dhe tranzitimi i mishit të shpendëve të patrajtuar termikisht dhe nënprodukteve të shpendëve të patrajtuar termikisht. Edhe për këto shtete janë të përcaktuara zonat e infektuara, nga të cilat do të ndalohet futja e produkteve në vendin tonë.

Mbi 100 veprime bankare nga llogaria e “DAAM.shpk”/ Evis Berberi i ARRSH-së tërhoqi para edhe kur ishte në Turqi

Kreu i ARRSH-së Evis Berberi rezulton se nga llogaria e shoqërisë “DAAM shpk” ka aksesuar 150 herë në llogarinë e saj bankare.Këtë fakt Prokuroria e Posaçme e ka siguruar nga një shkrese e mbërritur nga një bankë e nivelit të dytë, ku në të shkruhet se këtë akses e ka pasur shtetasi me kredencialet Evis Berberi.

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar nëpërmjet një adrese IP 31.206.251.38 në datën 11, 14 dhe 15 gusht 2023 kjo llogari bankare e “DAAM shpk” është aksesuar edhe në  Turqi.
Në shkresë, rezulton se me datën 7 gusht 2023 Evis Berberi ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet përdorimit të “Charter” dhe po me “Charter” ka hyrë në vendin tonë 9 ditë më vonë, me datën 16 gusht të vitit 2023.

Sipas verifikimeve rezulton se nga data 11 gusht e dëri më 15 gusht 2023 Valter Begaj, Ervis Lami dhe Denis Rama që kanë pasur të drejtë të kryejnë veprime tek llogaria “DAAM shpk”., kanë qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Nisur nga këto rrethana dyshohet se Evis Berberi me datën 11 gusht 2023 ka aksesuar 1 herë llogarinë bankare të shoqërisë “DAAM shpk”.

Por jo vetëm kaq, Berberi dyshohet se në shtetin Turk ka aksesuar edhe 1 herë tjetër, me datën 14 gusht dhe dy herë me datën 15 gusht 2023.

Bllokimi i llogarive nga Belgjika për llogari të Francesco Becchettit, Qeveria mbyll Albcontrol. Pikëpyetjet pas vendimit

Belinda Balluku

Qeveria shqiptare ka vendosur të “prishë” kompaninë e shërbimeve të fluturimeve ajrore Albcontrol sh.a., dhe të krijojë një entitet të ri në vend të tij, një vendim për të cilin zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment por që duket se lidhet me bllokimin e llogarive të Albcontrol sh.a. në Belgjikë me kërkesë të Francesco Becchettit dhe kredive me vlerë 5 miliardë lekë që qeveria i ka dhënë kompanisë nga paratë e taksapaguesve.

Manovra, e cila nuk shpjegon se si paratë e bllokuara gjatë viteve 2021,2022 e 2023 dhe që arrijnë në dhjetëramilionë euro, do të mund të zhbllokohen dhe as nëse kredia prej 5 miliardë lekësh do të mund apo jo t’u kthehet taksapaguesve. Gjithsesi, projektligji, i publikuar së fundmi në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, thotë se të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një hile juridike që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

Projektligji është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Transformimi i Albcontrol Sh.a. në agjenci duket se përbën njëkohësisht edhe një faliment të pashpallur të kompanisë nën pronësi publike, llogaritë e së cilës janë bllokuar që prej tre vjetësh dhe të ardhurat e së cilës duket se janë konfiskuar nga sistemi gjyqësor belg për shkak se qeveria shqiptare refuzon të paguajë një gjobë gjyqësore që i ka vendosur një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi për sekuestrimin nga qeveria Shqiptare të aseteve të biznesmenit kontrovers italian Francesco Becchetti.

Projektligji thotë se të ardhurat që enti i ri do të ketë nga aktiviteti i vet, duhet të “përdoren ekskluzivisht” për qëllimet e ekzistencës së entit dhe se këto të ardhura “gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit”.

Projektligji thotë gjithashtu se kompania Albcontrol sh.a., “prishet pa kaluar në likuidim” ndërsa një auditues ligjor do të caktohet për të kryer procedurat e nevojshme.

Nuk është e qartë nëse hileja e shpalljes së të ardhurave të Albcontrol “imune” ndaj konfiskimeve do të mund të shpëtojë entin e ri nga urdhra bllokimi të ngjashëm me atë të lëshuar nga gjykatat belge.

Qeveria shqiptare i ka dhënë dy kredi aktualisht kompanisë Albcontrol me vlerë totale 5 miliardë lekë. Projektligji dhe relacioni nuk bëjnë të ditur se si kjo kredi, e dhënë nga paratë e taksapaguesve, do të mund të shlyhet nga kompania Albcontrol.

Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it nëse synimi kryesor i projektligjit ishte për të shpëtuar Albcontrol-in nga gjoba “Becchetti”.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në favor të biznesmenit kontrovers italian për konfiskimin e paligjshëm të televizionit Agon Channel nga autoritetet shqiptare në vitin 2015.

Por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

“Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontroll Sh.A. pranë organizatës Eurocontrol,” thuhet në raportin e Albcontrol mbi bilancin e vitit 2022. Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës]. Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024. /Birn/