Studimi: Pfizer rriti me 5 herë rastet me alergji të rëndë

Studimi: Pfizer rriti me 5 herë rastet me alergji të rëndë

12585
SHPËRNDAJE

Vaksina Pfizer/Biontech ka më shumë gjasa që të shkaktojë anafilaksi në krahasim me të dhënat e raportuara dhe studiuara nga vaksinat e tjera anti-Covid që po përdoren deri më tani.

Organizata Botërore e Alergjisë tha se mundësitë për t’u prekuar nga anafilaksia, një formë e rëndë reaksioni alergjik dhe që shpesh mund të jetë edhe vdekjeprurëse rritet me pesë herë te personat e vaksinuar me Pfizer në krahasim me personat e tjerë.

Një komitet ekspertësh i kësaj organizate kanë studiuar të dhënat e vënë në dispozicion për të gjitha llojët e vaksinave anti-Covid dhe thotë se në rastin e Pfizer vihet re një probabilitet më i lartë për t’u prekur nga kjo formë agresive alergjike.

Në kushte normale, 1 person në 1 milionë preket nga anafilaksia e shkaktuar nga injektimi i një ilaçi a kure në organizëm, ndërkohë që në rastin e të vaksinuarve me Pfizer, ekspertët e Organizatës Botërore të Alergjisë thanë se kjo shifër ulej në 1 rast për 200 mijë persona.

Për këtë arsye, ekspertët e kësaj organizate u bëjnë thirrje autoriteteve që të tregohen të kujdesshme dhe të mbikëqyrin të vaksinuarit për 15 deri në 20 minuta pas procesit. Këshillohet që personave që vaksina mund t’u shkaktojë anafilaksinë t’u injektohet adrenalinë.

Në Britaninë e Madhe pati një shqetësim fillestar në lidhje me alergjitë që mund të shkaktonin vaksinat anti-Covid dhe autoritetet vendase udhëzuan që në fillim që persona me një historik alergjish nga vaksinat të mos vaksinoheshin për momentin.

Një shqetësim i tillë u ngrit edhe në SHBA, por autoritetet atje zgjodhën si rrugë që vaksinimi të vazhdojë edhe për këtë kategori qytetarësh me këshillimin dhe ngritjen e grupeve të specializuara të mjekëve në çdo qendër vaksinimi për të reaguar ndaj çdo rasti me anafilaksi.

Edhe në Britaninë e Madhe, urdhri i ndalimit qëndroi në fuqi vetëm 3 javë dhe më pas u ndoq strategjia amerikane. Këtë sugjeron edhe Organizata Botërore e Alergjisë në raportin studimor të përgatitur mbi efektet anësore alergjike të vaksinave anti-Covid.

Nga vlerësimi i kësaj organizate, vihet re se vaksinat me bazë mARN, si Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson kanë një probabilitet më të lartë për të shkaktuar anafilaksi në krahasim me vaksinat e tjera, kineze e ruse, që janë të prodhuar përmes metodës tradicionale të modifikimit të virusit.

S'KA KOMENTE