SPAK letër porosi në Kolumbi për kokainën e Fierit

SPAK letër porosi në Kolumbi për kokainën e Fierit

196
SHPËRNDAJE

Prokuroria e posaçme ka kërkuar informacion pranë autoriteteve kolumbiane në lidhje me sasinë prej 430 kilogramë kokainë që u gjet në Frakull të Fierit. Hetuesit nëpërmjet letër-porosive kanë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve atje, për të zbuluar personat që mund të kenë bashkëpunuar me 10 të arrestuarit në vendin tonë për trafikimin e lëndës narkotike.

Spak kërkon informacion në lidhje me personat që kanë blerë kokainën që u gjet e fshehur në thasët me pleh kimik, por edhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Gjithashtu informacion është kërkuar edhe për shtetasin kolumbian Zamir Rodrigez, që dyshohet se do të kryente ndarjen e kokainës nga plehu kimik në një banesë në Frakull të Fierit. Kolumbiani është personi i vetëm që i shpëtoi arrestimit në vendin tonë.

Përveç Kolumbisë hetuesit më herët kanë dërguar letër porosi edhe në Mal Zi, atje ku u zbulua edhe kokaina që rezultoi se ishte e përzier me plehun kimik. Sasia e drogës u zbulua në 24 nëntor në banesën e Viktor Çervanakut në Frakull të Fierit, ndërsa policia vuri në pranga 10 persona dhe shpalli  Rodrihez si personin që do të nxirrte kokainën nga plehu kimik. Nga hetimet ka rezultuar se, Çervanaku porositi sasinë prej 24 ton plehu kimik në Kolumbi dhe brenda saj u fsheh ngarkesa e kokainës vlera e të cilës përllogaritet në rreth 40 milionë euro. Sipas prokurorisë në më shumë se tre muaj këta persona janë mbajtur në vëzhgim dhe provohet se kanë trafikuar sasinë e kokainës.

S'KA KOMENTE