SPAK çon për gjykim 3 persona të lidhur me një grup kriminal

SPAK çon për gjykim 3 persona të lidhur me një grup kriminal

126
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për tre persona të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, grup kriminal dhe pastrim parash. SPAK ka kaluar për gjykim dosjen ndaj Flori e Fredi Pali dhe Anita Adilaj.

Sipas hetimeve këta persona kanë bashkëpunuar me një grup kriminal që operonte në vendet skandinave për trafikun e kokainës.

Sipas dosjes së SPAK, Flori Pali në cilësinë e një organizatori të një grupi të strukturuar kriminal gjatë periudhës kohore Janar 2018 deri në Qershor 2019, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar në Mbretërinë e Norvegjisë Halit Xhini dhe Steven Cooper, si dhe të një rrjeti shpërndarësish të paidentifikuar, në mënyrë të kundërligjshme ka drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme në Stavanger të Norvegjisë të paktën sasinë prej 4 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

E akuzuara tjetër, Anita Adilaj, sipas SPAK  është e përfshirë në tregtinë e drogës në Stavanger të Norvegjisë, si dhe ka patur një rol kyç edhe sa i takon dërgimit të parave nga Norvegjia për në Shqipëri, para këto të ardhura nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Norvegji nga grupi i strukturuar kriminal.

Gjithashtu ajo ka luajtur rolin e llogaritares së të dënuarit në Norvegji, bashkëjetuesit të saj Halit Xhini, në lidhje me paratë që i dërgoheshin Flori Pali dhe detyrimet që kishin ndaj tij.

Personi i tretë i akuzuar është Fredi Pali. Ai ka patur rolin e menaxhuesit të parave apo pasurive të fshehura të vëllait të tij Flori Pali, në lidhje me paratë e dërguar nga anëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal apo shtetas të tjerë nga Norvegjia. Po ashtu, siç specifikon dosja hetimore, Fredi Pali ka kryer një rol të rëndësishëm në ciklin e qarkullimit të parasë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe fshehjen e tyre.

S'KA KOMENTE