SPAK: 15 procedime penale në korrik, 24 pasuri të sekuestruara

SPAK: 15 procedime penale në korrik, 24 pasuri të sekuestruara

67
SHPËRNDAJE

Disa tregues statistikorë të punës së Prokurorisë së Posaçme për muajin KORRIK 2022:

Janë paraqitur 13 kallëzime penale, nga të cilat, për 2 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.

Janë regjistruar 15 procedime penale, nga të cilat, 4 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 11 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me tre persona të pandehur, nga të cilat, një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 2 procedime me 2 të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë miratuar nga Gjykata e Posaçme 21 masa sigurimi personale ndaj personave nën hetim.

Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë miratuar caktime të masës së sigurimit pasuror nga Gjykata e Posaçme për 4 pasuri të paluajtshme me sipërfaqe totale prej 66 811 m².

Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 5 vendime themeli, duke deklaruar fajtorë 43 të pandehur.

Bazuar në ligjin Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (të ndryshuar), janë sekuestruar me vendim gjykate 24 pasuri, si më poshtë:

– 7 subjekte tregtare.

– 4 pasuri të luajtshme të llojit automjet.

– 13 pasuri të paluajtshme, nga të cilat, 10 sipërfaqe toke me sipërfaqe totale prej 24 233 m² dhe 3 objekte.

Janë kthyer 62 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.

Janë ekzekutuar 5 vendime penale të formës së prerë si dhe janë nxjerrë 25 urdhra ekzekutimi për persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.

Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për konfiskimin e 51 pasurive të luajtshme, si më poshtë:

– 3 automjete.

– 48 aparate celulare të markave të ndryshme.

Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për konfiskimin e 75 pasurive të paluajtshme, si më poshtë:

– 73 sipërfaqe toke me sipërfaqe totale prej 305 175 m².

–  2 objekte.

Janë miratuar nga prokurorët e posaçëm 20 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 5 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.

Është vënë në ekzekutim një letërporosi e ardhur nga autoritetet e huaja gjyqësore dhe është dërguar një letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja.

Është vënë në ekzekutim një kërkesë për ushtrimin e ndjekjes penale në Republikën e Shqipërisë.

Janë mbajtur 2 takime koordinuese, palë e marrëveshjeve në kuadër të skuadrave të përbashkëta hetimore me autoritetet e huaja. Është dërguar dokumentacioni pranë Ministrisë së Drejtësisë me qëllim ekstradimin e një shtetasi shqiptar nga jashtë vendit në Republikën e Shqipërisë.

Është nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore me autoritetet e huaja.  Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e një shtetasi shqiptar.

U është kthyer përgjigje e plotë 22 kërkesave për informacion.

S'KA KOMENTE