Socialistët e djegin raundin e parë të votimit, asnjë kandidaturë në zyrat...

Socialistët e djegin raundin e parë të votimit, asnjë kandidaturë në zyrat e Kuvendit

33
SHPËRNDAJE

Në pamundësi për të pasur 84 vota në Kuvend, socialistët kanë vendosur që të djegin raundin e parë të zgjedhjes së presidentit, pa dërguar asnjë kandidaturë zyrtare. Afati për dorëzimin e kandidaturave, që do të duhet të mbështeteshin nga firmat e 20 deputetëve skadoi pasditen e djeshme, me socialistët, që në dukje po përpiqen të gjejnë dakordësinë e opozitës për pasuesin e Ilir Metës në zyrën e presidencës.

Konferenca e Kryetarëve e mbledhur në fundin e javës që shkoi, përcaktoi këtë të hënë si datë për raundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit, raund i cili do të digjet. Raundi i ardhshëm pritet të vendoset jo më larg se 6 ditë nga kjo e hënë, dhe sërish do të kërkojë një dakordësi me bazë të gjerë.

Kushtetuta, me ndryshimet e fundit Rama-Berisha të vitit 2008, përcakton qartë se në 3 raundet e para për zgjedhjen e presidentit duhet të votojnë 84 deputetë pro, ndërkohë që në raundin e katërt dhe të pestë, presidenti mund të zgjidhet dhe me shumicë të thjeshtë, pra 71 vota.

Siç ka ndodhur rrallë në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri, socialistët janë treguar të kujdesshëm që asnjë kandidat të mos shihet më i favorizuar për këtë garë, që sipas tyre do të shërbejë si një model për proceset që do të vijnë në vijim.

Disa nga kushtet që ata kanë vendosur paraprakisht janë që presidenti të mos vijë nga radhët e grupit parlamentar të tyre, si dhe të mos mbajë funksione të larta në parti, ndërsa kanë këmbëngulur që profili i tij të mos ketë asnjë pikë takimi me Ilir Metën, të cilin Edi Rama e ka konsideruar presidentin më skandaloz që vendi ka pasur në këto 30 vite.

Që prej javësh, Rama ka mandatuar 3 deputetë për negociatat qoftë me opozitën, qoftë me shoqërinë civile, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin dhe Elisa Spiropalin. Këta të fundit se kanë pasur të lehtë që të ulen në tavolinë me opozitën, për shkak të përplasjeve brenda vetë radhëve të Partisë Demokratike, me Enkelejd Alibeajn që edhe pse mban ende formalisht detyrën e kreut të grupit parlamentar, e ka humbur besimin e shumicës së deputetëve.

PS ka mohuar kategorikisht opsionin që të ulet në një tavolinë me deputetët e Komisionit të Rithemelimit, dhe sipas tyre çdo kandidat që propozohet nga opozita, në mënyrë që të shqyrtohet do të duhet që të kalojë përmes Alibeajt, që nga ana tjetër Rithemelimi pretendon se e ka shkarkuar.

Pas seancës së sotme që pritet të jeë formale, Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sërish për të përcaktuar raundin e dytë të votimit, ndërkohë që negociatat mes palëve pritet që të vazhdojnë. Janë të vegjlit e opozitës, si Fatmir Mediu apo Shpëtim Idrizi ata që po përpiqen që të gjejnë një pikë takimi mes grupit të Alibeajt dhe atij të Berishës, në mënyrë që ti drejtohen mazhorancës me propozime konkrete rreth emrave, që deri tani kanë dalë me pikatore.

Ismail Kadare apo Viktor Zhusti, janë disa prej të përmendurve, por deri tani s’ka asnjë iniciativë konkrete për propozimin zyrtar të tyre, e deri atëherë palët janë në kërkim të një presidenti, që do t’i zëjë vendin Ilir Metës pas datës 24 Korrik!

Meta vetë e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pushime, pasi nga zyra e presidencës, pritet që të kthehet në politikën aktive, ndoshta një një kostum edhe më të gjerë sesa ai i LSI-së.

S'KA KOMENTE