Skema e naftës për fermerët; Çmimi i karburantit pa taksa do të...

Skema e naftës për fermerët; Çmimi i karburantit pa taksa do të jetë 5% më i shtrenjtë se 2021

641
SHPËRNDAJE
spraying a field

Rreth 80,4 lekë për litër naftë do të rimbursohet nga shteti me skemën e shpërndarjes të naftës falas për fermerët që do të vijojë zbatimin edhe për 2022.

Pjesën e mbetur të çmimit të naftës pa taksa, fermeri këtë vit do ta paguajë 5% më shumë se 2021, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve. Fondi që do të vihet në dispozicion për shpërndarjen e naftës pa taksa do të jetë 950 mln lekë e njëjtë me fondin e përdorur edhe në 2021.

Skema e shpërndarjes të naftës falas do të ketë të njëjtën parim si skema që u zbatua në vitin 2021, ku sasia e naftës që konsumohet për mbjelljen e 1 ha të mbjelle do t’i hiqen pagesat e taksave. Nga çmimi mesatar vjetor i naftës prej 147,4 (sipas çmimit referencë të naftës të buletinit të shkurtit në Agjencinë e Prokurimeve) do të zbriten taksat, si: akciza 37 lekë/L, taksa e karbonit 3 lekë/L, TVSH 20%, 13,4 lekë/L. Në total nga shteti do të rimbursohet për naftën 80,4 lekë/L, ndërsa fermeri do të paguajë pjesën e mbetur të çmimit 67 lekë/L.

Naftën fermerët vjet e përfituan 63,8 lekë/L. Në 2021 si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Sakaq tabela shoqëruese e vendimit përcakton se përfitues të naftës falas do të jenë fermerët në ndara sipas 3 kategorive të kulturave bujqësore, si: në bimë arrash (duke përfshirë misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, patate, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore); drurët frutorë (të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe vreshta, arra, bajame, lajthi dhe gështenja. Për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore); perime (të gjitha llojet e perimeve, përfshirë edhe shalqinin, pjeprin e luleshtrydhen.)

Në vendim për caktohen edhe normativat e konsumit të naftës për ha për të gjithë këto grupe dhe nëngrupe që nafta do të jepet falas. Konkretisht sipas tabelës për kultivimin e 1 ha misër, fasule, ;luledielli apo sorgum një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet apo 101 l naftë do të përfitohen me çmim 67 lekë/litër. Për kultivimin e grurit, tërshërës, thekrit, elbit, patates, panxharit pambukut do të rimbursohet 46% të naftës që përdoret për kultimin e 1 ha tokë me këto kultura. Për hërë të parë skema përfshin edhe rimbursimin e naftës për tokën e mbjellë me ullinj. Për 1 ha ullinj sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga 160 litra naftë për ha do të rimbursohen 85 litra naftë.

Subjekte përfituese nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë do të jenë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë veprimtari bujqësore. Nafta për bujqësinë do të shpërndahet nga operatorët furnizues të kontraktuar në bazë të përzgjedhjes, sipas procedurave ligjore prokuruese kuadër, nëpërmjet pikave të tyre të shpërndarjes në të gjithë vendin, ku fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur sasia e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.

Në 2021 nga skema e naftës falas përfituan në të gjithë vendin 9,096 fermerë.

BURIMI/MONITOR

S'KA KOMENTE