Sipërfaqja e kultivuar me drithëra bie tre herë nga viti 1980

Sipërfaqja e kultivuar me drithëra bie tre herë nga viti 1980

34
SHPËRNDAJE

Sipërfaqja e mbjellë me drithëra në vendin tonë ka pësuar rënie të ndjeshme në dekadat e fundit nga kulmi që arriti në vitin 1980, por rendimenti për hektar është rritur ndjeshëm sipas të dhënave statistikore nga data baza e Programit Botëror të Ushqimit, FAO.

Sipas të dhënave që janë pasqyruar në grafikun bashkëngjitur nga viti 1980 deri në vitin 2019, sipërfaqja e kultivuar me drithëra ra me tre herë, ndërsa rendimenti për hektarë u rrit me më shumë se dy herë.

Në vitin 1980 ishin të mbjella me drithëra në të gjithë vendin 372 mijë hektarë, teka prodhimi në total ishte mbi 800 mijë tonë. Mesatarisht për një hektarë u prodhuan 2,3 tonë drithëra. Ndërsa në vitin 2019 janë mbjelle me drithëra 132 mijë hektarë tokë, nga të cilat u prodhuan 666 mijë tonë drithëra. Prodhimi për një hektarë ishte 5 tonë ose më shumë se dyfishi i prodhimit në vitin 1980, ku u shënua sipërfaqja më e madhe e kultivuar me drithëra ndonjëherë. Ekonomia e mbyllur gjatë viteve të komunizmit, nxiti prodhimin në vend të bukës, produkti më i konsumuar i kohës. Për të siguruar të gjithë sasinë e nevojshme të bukës në një kohë që popullsia po rritej me shpejtësi u krijuan sipërfaqe të reja tokë, shpesh duke shpyllëzuar territore të mëdha sidomos në veri ku toka ishte më e pakët.

Por në vitet në 1965 raporti ndërmjet sipërfaqes së mbjelle dhe prodhimit ishte edhe më i përkeqësuar. Sipas të dhënave të FAO-së në këtë vit në Shqipëri ishin të mbjelle me drithëra mbi 323 mijë hektar, gati trefishi i asaj që mbillet sot, ndërkohë që prodhimi në total ishte 335 mijë tonë vetëm gjysma e asaj që korrekt aktualisht.

Në dekadat e fundit shkenca bujqësore ka bërë hapa para në mënyrë që të rrisë rendimentin e prodhimeve për të njëjtat sipërfaqe. Kjo tendencë po nxitet nga rritja e shpejtë e popullsisë globale ndërkohë që sipërfaqja e tokës bujqësore sa vjen e ngushtohet prej ndryshimeve klimaterike, erozionit, përmbytjeve dhe ndotjes së lartë dhe urbanizimit të shpejtë.

Konsumi i drithërave në vendin tonë ishte mbi 1 milionë tonë, pasi në vitin 2019, importet e drithërave ishin 366 mijë tonë prodhimi vendas mbi 666 mijë tonë. Drithërat kanë destinacion prodhim për konsum nga kafshët dhe nga njerëzit. Në Shqipëri më së shumti prodhohen drithëra që kanë destinacion kafshët, ku dominon misri./Monitor/

S'KA KOMENTE